Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e sotme në kryeqytet, ku 31-vjeçari Egli Pashollari ka humbur jetën pas një konflikti fizik mes disa të rinjve në rrugën “Kongresi i Lushnjës”.
Sipas informacioneve paraprake, Pashollari sapo kishte dalë nga automjeti i tij kur është sulmuar nga tre persona, dy djem dhe një vajzë. Gjatë përplasjes, njëri prej djemve dyshohet se e ka goditur të paktën një herë në pjesën e shpinës.
Mësohet se pas konfliktit, Pashollarit i është dhënë ndihma e parë pranë një lokali në zonë. Më pas, disa persona të pranishëm në vendngjarje e kanë transportuar me makinën e tij drejt spitalit, por ai ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa pritet identifikimi dhe shoqërimi i personave të përfshirë në konflikt.