Tensione të forta janë regjistruar gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku sipas raportimeve janë hedhur molotovë në drejtim të efektivëve të Policisë së Shtetit. Sulmi ka zënë në befasi uniformat blu, përfaqësuesit e mediave dhe vetë protestuesit, ndërsa nga ana e policisë janë bërë thirrje me megafon për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Pas incidentit, turma është larguar nga zona përpara Kryeministrisë dhe është drejtuar drejt Parlamentit. Njëkohësisht, forca të shumta të Policisë së Shtetit janë nisur me urgjencë për të garantuar rendin dhe sigurinë, duke qenë se pjesëmarrja në protestë raportohet e lartë.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka reaguar me një thirrje urgjente drejtuar lidershipit të opozitës dhe organizatorëve të protestës, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të akteve të dhunës dhe largimin e të miturve nga tubimi.
“Dënojmë çdo inkurajim aktesh dhune nga drejtues të opozitës. U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës që t’u bëjnë apel simpatizantëve që të shmangin aktet e dhunës dhe të mbajnë të miturit larg çdo akti që do të rrezikonte jetën e tyre dhe qytetarëve. Dhuna nuk është zgjidhje! Dhuna është shfaqje e dëshpërimit nga ata që në vend të alternativës krijojnë skena që rrezikojnë jetën e qytetarëve, policëve e gazetarëve. Ata të rinj e të mitur që përfshihen në akte dhune nuk janë as heronj e as trima, por janë të keqpërdorurit e atyre që në mënyrë patologjike vijojnë të mbështeten te dhuna, pa mundur të ndërtojnë alternativë tjetër veç shkatërrimit”, shkruan ministrja.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa pritet të zbardhen detaje të tjera mbi incidentet e regjistruara gjatë protestës.