Zbardhen detaje të reja nga vrasja e ndodhur ditën e sotme në kryeqytet, ku humbi jetën Egli Pashollari. Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim Gazmend Buçpapën, i cili dyshohet se është autori i goditjes me thikë që rezultoi fatale për viktimën.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, ku Pashollari u sulmua nga tre persona, dy djem dhe një vajzë. Sipas dyshimeve paraprake, gjatë konfliktit njëri prej tyre e ka qëlluar me thikë.
Pas plagosjes, 32-vjeçari Pashollari u transportua me urgjencë drejt spitalit nga kalimtarë të rastit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë rrugës.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se konflikti dyshohet të ketë nisur pasi autorët pretendojnë se viktima kishte ngacmuar bashkëshorten e njërit prej të përfshirëve në përplasje. Policia vijon kërkimet për kapjen e të dyshuarit dhe po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.