Ish-kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur një tjetër skenar për protestën e 20 shkurtit. Ndryshe nga herët e kaluara, kur pas fjalës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” i drejtohej selisë blu për të pritur mbështetësit, kësaj radhe ai ka marshuar së bashku me turmën drejt Kuvendit të Shqipërisë, pranë xhamisë së Namazgjasë ku besimtarët po faleshin.
Gjatë rrugës për në Parlament, Berisha ka dhënë një deklaratë të shkurtër për mediat, duke dërguar një mesazh edhe për drejtues të Policisë së Shtetit. Ai ka kombinuar qëndrimin politik me urimet për besimtarët myslimanë dhe të krishterë që po kryejnë ritet e tyre fetare.
“Mesazhi është se Edi Rama është i përfunduar. Dy janë ata që hedhin ujë dhe gaz, është Ilirjan Proda dhe Sokol Bizhga, dy kriminelë të klasit më të lartë të cilët në mënyrë absolute do të ndëshkohen me të gjithë forcën e ligjit. E pastruam Bashkinë, siç pastruam bashkinë nga Erion Veliaj do pastrojmë Kryeministrinë nga hajduti më i madh se Veliaj, Edi Rama. Ata do ndajnë fatin me njëri tjetrin. Nuk ka gjë në botë që i shpëton. Dhe edhe azil politik që po përpiqen të gjejnë, vrimë miu nuk do gjejnë. Zoti ja u pranoftë agjërimin e Ramazanit, Zoti ua pranoftë të gjithë të krishterëve Kreshmën, Zoti ua pranoftë gjithë shqiptarëve protestën”, tha Berisha.
Protesta vijoi me lëvizjen e turmës drejt Kuvendit, ndërsa forca të shumta policie ishin të pranishme për të garantuar rendin dhe sigurinë.