“Trump afroi paqen Kosovë-Serbi”, Rama ngre çështjen e UÇK në Bordin e Paqes: “Zoti President, të bëjmë diçka para se gjëra të këqija të ndodhin!”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur një fjalim të fortë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes, ku vuri theksin te zhvillimet që lidhen me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Në fjalën e tij, Rama u ndal te periudha e mandatit të parë të Presidentit Donald Trump, duke deklaruar se në atë kohë Kosova dhe Serbia kishin qenë më pranë se kurrë arritjes së një marrëveshjeje paqeje. Sipas tij, një moment kyç ishte bllokimi i udhëtimit të Hashim Thaçit drejt Shtëpisë së Bardhë për të nënshkruar marrëveshjen. “Nën lidershipin e mandatit të parë të Presidentit Trump, Kosova dhe Serbia ishin më afër se kurrë një marrëveshjeje paqe,” deklaroi Rama.

Kryeministri kritikoi ashpër drejtësinë ndërkombëtare dhe prokurorët e përfshirë në proces, duke theksuar se një prej tyre, i financuar nga vendet demokratike, kishte kërkuar 45 vite burg për Thaçin. “Një burrë i cili u ngrit kundër spastrimit etnik në një gjykatë që ka dështuar për të respektuar standardet e drejtësisë demokratike,” u shpreh Rama, duke e cilësuar këtë si një precedent shqetësues.

Ai shtoi se procesi përbën, sipas tij, një shembull të abuzimit të drejtësisë ndërkombëtare, duke theksuar se shumë nga vendet demokratike të pranishme në takim kanë qenë pjesë e financimit të hetimeve dhe të gjykimit.

Në përfundim të fjalës, Rama bëri thirrje për reagim të menjëhershëm, duke paralajmëruar për pasoja të mundshme nëse situata neglizhohet. “Zoti President, le të bëjmë diçka para se gjërat e këqija të ndodhin,” tha ai, duke kërkuar angazhim më të madh për stabilitetin dhe paqen në rajon.

Kryeministri shprehu gjithashtu vlerësimin për përfshirjen e Shqipërisë në këtë iniciativë, duke theksuar se vendi synon të kontribuojë në vizionin e paqes ndërkombëtare të promovuar nga Bordi i Paqes.