Situata në aksin rrugor Librazhd–Pogradec, në zonën e njohur si Arrat e Gurrës, është përkeqësuar pas thellimit të çarjeve të vjetra dhe atyre të reja të shfaqura në trupin e rrugës, duke rritur rrezikun për përdoruesit e këtij segmenti.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se, pas konstatimit të problematikës, janë ndërmarrë menjëherë masa emergjente për të shmangur aksidente të mundshme dhe për të garantuar sigurinë rrugore.
Duke nisur nga dita e sotme, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, lëvizja e mjeteve do të kufizohet në një korsi në zonën ku ka ndodhur rrëshqitja e trupit të rrugës. Për disiplinimin e trafikut do të vendoset semafor, ndërsa qarkullimi do të alternohet sipas drejtimit.
Paralelisht, ARRSH njofton se do të merren masa për hapjen e një korsie provizore në anën e majtë të rrugës, me qëllim garantimin e qarkullimit në të dy drejtimet deri në ndërhyrjen përfundimtare dhe rehabilitimin e plotë të segmentit problematik.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës për mirëkuptim dhe respektim të sinjalistikës, duke theksuar se kufizimet janë të domosdoshme për të shmangur rreziqe dhe për të garantuar sigurinë e të gjithë përdoruesve të rrugës.