Gjykata e Apelit e Tiranës ka lënë në fuqi vendimin për përjashtimin e biznesmenit kosovar Behgjet Pacolli nga administrimi i Aeroportit të Vlorës, deri në shqyrtimin në themel të konfliktit me ish-ortakun e tij, Valon Ademi.
Me vendimin e dhënë këtë të enjte, Apeli ka konfirmuar masën e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila kishte pezulluar të drejtën e votës dhe administrimit të kompanisë Mabco në shoqërinë koncesionare Vlora International Airport. Si rrjedhojë, administrimi i aeroportit mbetet në dorën e Valon Ademit, deri në përfundim të procesit gjyqësor për aksionet.
Në qendër të përplasjes mes dy aksionarëve qëndron një kredi prej 100 milionë eurosh e marrë nga Mabco S.A nga fondi i investimeve Delphos Compartment Bernina në Luksemburg. Sipas pretendimeve, kredia parashikonte përfshirjen e Aeroportit të Vlorës si huamarrës shtesë, çka do të linte fluksin e të ardhurave të aeroportit të lidhur me fondin investues.
Valon Ademi ka akuzuar Pacollin se marrëveshja është realizuar në fshehtësi dhe në kundërshtim me ligjin, duke kërkuar ndërhyrjen e gjykatës për pezullimin e të drejtave të tij në vendimmarrje. Gjykata e Shkallës së Parë pranoi padinë, ndërsa Apeli tashmë ka vendosur ta lërë në fuqi këtë masë sigurimi.
Pas vendimit të parë, Pacolli reagoi publikisht, duke deklaruar se po i merrej kompania, pavarësisht se zotëron 98 për qind të aksioneve. Megjithatë, edhe shkalla e dytë e gjyqësorit ka vendosur që Mabco të qëndrojë e përjashtuar nga administrimi deri në zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjes.
Në thelb të konfliktit është kontrolli mbi koncesionarin VIA, shoqëria e krijuar për zbatimin e kontratës me Ministrinë e Infrastrukturës për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës. Çështja është përshkallëzuar në procese të njëpasnjëshme sigurimi padie, ndërsa kompania “2A Group” pretendon se në prill 2025 ka blerë rreth 47% të kuotave të Mabco-s mbi bazën e një kontrate shitblerjeje aksionesh.
Mabco kundërshton vlefshmërinë e kësaj kontrate, duke argumentuar se transferimi i aksioneve nuk mund të prodhojë pasoja juridike pa miratimin e kontraktorit, konkretisht Ministrisë së Infrastrukturës. Deri në një vendim përfundimtar mbi pronësinë e aksioneve, administrimi i aeroportit do të vijojë të mbetet në duart e Valon Ademit.