Vëllai i Mbretit Charles III, ish-princi Andrew, është arrestuar nën dyshimin për sjellje të pahijshme në ushtrimin e detyrës publike dhe për ndarje të informacioneve konfidenciale me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein.
Policia e Luginës së Thames konfirmoi se një burrë rreth të 60-ave u arrestua të enjten në Norfolk, ndërsa kontrolle po zhvillohen në adresa në Berkshire dhe Norfolk. Ai mbetet në paraburgim, ndërsa hetimet vijojnë.
Mbreti Charles III reagoi menjëherë, duke deklaruar se “ligji duhet të ndjekë rrugën e vet” dhe se policia ka “mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij të plotë dhe me gjithë zemër”.
Autoritetet kishin bërë me dije më herët se po shqyrtonin çështjen e marrëdhënies së Andrew me Epstein, përfshirë pretendimet se ai kishte ndarë materiale me karakter konfidencial. Komunikime mes tyre u zbuluan në dokumente të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së.
Kjo është hera e parë që Andrew arrestohet. Ai ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje, ndërsa policia theksoi se pas një “vlerësimi të plotë” është hapur një hetim zyrtar.
Arrestimi u krye në rezidencën mbretërore në Sandringham rreth orës 08:00 GMT dhe, sipas policisë, nuk lidhet me ndonjë akuzë për vepra penale seksuale.
Në fillim të shkurtit ishte raportuar gjithashtu se po vlerësohej një pretendim i veçantë sipas të cilit një grua e dytë ishte dërguar në Mbretërinë e Bashkuar nga Epstein për një takim me Andrew në vitin 2010. Gruaja, jo britanike, ishte në të 20-at në atë kohë.
Ish-Duka i Jorkut shërbeu si i dërguar tregtar i Mbretërisë së Bashkuar nga viti 2001 deri në 2011, duke pasur akses të drejtpërdrejtë në nivele të larta qeveritare dhe biznesi. Dokumentet e publikuara së fundmi sugjerojnë se në vitin 2010 ai i kishte dërguar Epsteinit raporte qeveritare nga vizita në Vietnam, Singapor dhe Kinë, si dhe informacione mbi mundësi investimi në ar dhe uranium në Afganistan.
Sipas rregullave zyrtare, të dërguarit tregtarë janë të detyruar të ruajnë konfidencialitetin mbi informacionet e ndjeshme tregtare dhe politike që lidhen me misionet e tyre zyrtare. Hetimet pritet të sqarojnë nëse këto detyrime janë shkelur.