Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji ka dalë hapur kundër lidershipit aktual të Partisë Demokratike, duke deklaruar se me këtë drejtim politik forca më e madhe opozitare nuk mund të fitojë zgjedhjet.
Gjatë një takimi me strukturat dhe mbështetësit e PD-së në Berat, Salianji hodhi akuza të forta ndaj drejtuesve të partisë, duke i cilësuar ata si përgjegjës për humbjet e njëpasnjëshme elektorale.
“Askush fatkeqësisht nga lidershipi i PD-së nuk do që të mbajë përgjegjësi. Në bindjen time dhe të demokratëve, e shkuara duhet të mbajë përgjegjësi. Padyshim që kryetari i PD-së duhet të mbajë përgjegjësitë e veta, duke mos i bërë bisht përgjegjësive përballë demokratëve që e kanë respektuar dhe nderuar përgjatë gjithë këtyre viteve”, tha ai.
Salianji theksoi se Partia Demokratike është forca më e madhe opozitare në vend, por sipas tij kjo nuk mjafton. Ai u shpreh se objektivi duhet të jetë rikthimi në pushtet dhe jo thjesht mbetja në opozitë.
“PD krenohet se është forca opozitare më e fortë dhe ashtu do të mbetet, por ne duam që PD të jetë forca më e fortë dhe fituese në Shqipëri, të jetë forca qeverisëse në Shqipëri. Shqiptarët dhe demokratët, padyshim që do të në urrejnë nga historia, nëse ne nuk do të dimë të ndryshojnë kurs”, deklaroi ai.
Në vijim të fjalës së tij, ish-deputeti u shpreh qartë se me këtë udhëheqje aktuale, Partia Demokratike nuk ka shanse reale për të fituar.
“E them hapur, PD nuk mund të fitojë me këtë udhëheqje dhe ne na kanë refuzuar me votë për disa zgjedhje, për shkak të udhëheqjes së gabuar të PD. Nëse PD nuk bashkohet, nuk i çon votat drejt kutive të votimit për të përmbysur Edi Ramën. Nëse PD nuk bashkon dhe të gjithë opozitën, është e pamundur të rrëzosh Edi Ramën, që i ka ngulur rrënjët në korrupsion dhe krimin e organizuar”, shtoi ai.
Deklaratat e Salianjit vijnë në një moment delikat për Partinë Demokratike, e cila prej vitesh përballet me përçarje të brendshme dhe debate të forta mbi drejtimin politik dhe strategjinë përballë mazhorancës.