Markelian Hoti, 27 vjeç, është arrestuar në Romë nga policia italiane për llogari të autoriteteve belge, pasi dyshohet se ka luajtur rol kyç në një organizatë të specializuar në trafikun ndërkombëtar të kokainës. Sipas mediave italiane, ai rezulton të jetë vëllai i deputetes së Partisë Demokratike, Elda Hoti.
Arrestimi u krye në një apartament B&B në Via Giovanni Cicali, në periferi lindore të kryeqytetit italian, ku 27-vjeçari po qëndronte së bashku me partneren e tij. Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti evropian në muajin janar, me akuzën e komplotit për trafik droge, vepër penale që në Belgjikë dënohet deri në 15 vite burg.
Sipas hetimeve, Hoti dyshohet se ka qenë pjesë e një rrjeti që trafikonte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Evropës. Droga mbërrinte fillimisht në portin e Antverpit dhe më pas transportohej me automjete drejt destinacioneve të tjera, përfshirë Dubain. Rasti lidhet me sekuestrimin e 50 kilogramëve kokainë të fshehur në kontejnerë në portin belg.
Pas sekuestrimit të lëndës narkotike, 27-vjeçari ishte zhdukur, duke qëndruar në fshehtësi. Mediat italiane raportojnë se ai kishte arritur të shmangte regjistrimin në sistemin “Alloggiati Web”, për shkak të moshedhjes së të dhënave nga pronari i akomodimit, çka e kishte bërë më të vështirë identifikimin e tij nga autoritetet.
Pas konfirmimit të identitetit, Hoti është dërguar në burg, ku do të qëndrojë në pritje të procedurave për ekstradimin drejt Belgjikës. Hetimet mbi rrjetin e trafikut të drogës vijojnë.