Përplasja mes grupeve të Tepelenës të drejtuara nga Jani Aliaj dhe Elton Çiço nuk nisi në Shqipëri dhe as në momentin kur njëri prej tyre u ekzekutua. Zanafilla e konfliktit kthehet dy dekada pas, në Atikën Perëndimore të Greqisë, ku një ngjarje e vetme kriminale hapi një cikël hakmarrjeje që do të përfshinte dy shtete dhe disa qytete.
Një 20-vjeçar me origjinë nga Zhapokika e Memaliajt, E. Ballazhiu, u godit për vdekje me thikë. Autor i krimit ishte Jani Aliaj. Viktima ishte shok fëmijërie i Elton Çiçës, i rritur me të në të njëjtën lagje në Tepelenë, me lidhje të ngushta shoqërore dhe familjare.
“Është nga ato histori që ja vlen ta diskutosh, por duket që ka një tjetër zhvillim nga ajo që ne jemi mësuar zakonisht, ku në histori të tjera shohim që në njëfarë mënyre gjaku i një personi të vrarë merret nga persona të afërt të tij, vlla kushuri, ndërsa në këtë historinë mes Jani Aliajt dhe Elton Çiços gjaku merret nga shoku”, u shpreh për emisionin “Inside Story” Xhevahir Zhabina, gazetar.
Vrasja nuk u perceptua si një akt i izoluar, por si një plagë personale që kërkonte përgjigje. Kur Çiça mëson identitetin e autorit, ai dërgon mesazh në burg: kjo vrasje nuk do të mbetej pa pasoja. Në atë kohë, Aliaj ndodhej në paraburgim në Greqi. Konflikti kishte marrë formën e një premtimi hakmarrjeje.
Rreth tre vite më vonë, të dy përfundojnë në të njëjtin institucion, në burgun e Koridhalosë. Aliaj ishte dënuar me 18 vite burg për vrasje, ndërsa Çiça me 5 vite për drogë. Përplasja e parë fizike ndodhi gjatë ajrimit, ku Çiça e goditi me thikë Aliajn, i cili arriti të mbijetojë. Konflikti kishte kaluar nga paralajmërimi në gjakderdhje të drejtpërdrejtë.
“Kjo ka krijuar edhe faktin që kemi një numër të lartë viktimash edhe mos-mbylljen kurrë të këtyre konflikteve, të cilat janë konflikte shumë të ashpra, kanë sjellë vepra të rënda penale, kanë sjellë edhe vrasje të shumta”, u shpreh Indrit Sefa, avokat.
Pas rreth 10 vitesh burg, Aliaj përfiton leje dhe nuk kthehet më, duke u shpallur në kërkim nga autoritetet greke. Çiça, nga ana tjetër, përfundon dënimin dhe lirohet. Me daljen e të dyve në liri, konflikti zhvendoset në territorin shqiptar.
Nga ai moment, përplasja merr përmasa të reja në Gjirokastër, Tiranë, Durrës dhe Fier. Atentate të realizuara, tentativa të dështuara dhe persona të vrarë apo të plagosur, jo gjithmonë objektiv i drejtpërdrejtë, por pjesë e rrethit të afërt. Për rreth një dekadë, kjo sagë llogaritet të ketë prodhuar katër viktima, pesë të plagosur dhe disa atentate të mbetura në tentativë.
“Në Shqipëri është vërtetuar në shumë raste që disa histori kriminale nuk mbyllen kurrë. Kanë vazhduar për vite për dhjetëra vjeçar. Fatkeqësisht, në shoqërinë tonë ekzistojnë këto fenomene, ekziston ndjenja e hakmarrjes, edhe është një histori e trashëguar është një ndjenjë e trashëguar”, u shpreh Indrit Sefa, avokat.
“Informacionet kanë qenë se përplasje mes grupeve do ishte shumë e përgjakshme, pasi të dyja grupet ishin me goxha njerëz, ishin goxha të fuqishëm ekonomikisht, dhe hakmarrja e tyre do të ishte shumë e përgjakshme”, u shpreh avokati, Gjergj Nikolla.
Para se plumbat të gjenin Elton Çiçën në Tiranë, kishte pasur dy tentativa të qarta për të eliminuar Jani Aliajn. Dy episode që, të vendosura në të njëjtën vijë kohore, dukeshin si paralajmërime të një fundi të pashmangshëm. Konflikti, i nisur si një përplasje mes dy individësh, u shndërrua në një zinxhir të gjatë hakmarrjesh, ku “shlyerja e gjakut” u kthye në motiv kryesor të përplasjes mes grupeve.