Goditet rrjeti ndërkombëtar i prostitucionit në Shqipëri: 118 të arrestuara, vajzat rekrutoheshin në Telegram dhe hynin si “turiste” nga Brazili e Kina

Një operacion i gjerë i Policisë së Shtetit ka goditur një rrjet prostitucioni që vepronte në disa qytete të vendit, ku janë arrestuar 118 vajza dhe gra, shumica me kombësi të huaj.

Sipas të dhënave zyrtare, shtetaset e huaja, kryesisht nga Brazili, Kina, Tajlanda dhe vende të tjera, hynin në Shqipëri me justifikimin e turizmit, ndërsa aktivitetin e paligjshëm e maskonin përmes shpërndarjes së informacioneve për destinacione turistike. Hetimet kanë zbuluar se në fillim të këtij viti janë evidentuar nëntë raste të ushtrimit të prostitucionit në qytete të ndryshme, ku gratë e ardhura si turiste përfshiheshin në rrjete të organizuara.

Aktiviteti zhvillohej kryesisht online, përmes faqeve dhe platformave ku publikoheshin fotografi dhe numra kontakti për reklamimin e shërbimeve. Një nga kanalet e përdorura për rekrutime dhe komunikim ishte edhe rrjeti social Telegram, ku grupe publike shërbenin për të lidhur vajzat me persona që kërkonin shërbime seksuale.

Sipas hetimeve, në disa raste vajzat joshen me premtime për përfitime të larta financiare, ndërsa në raste të tjera dyshohet se janë viktima të rrjeteve ndërkombëtare të trafikut të qenieve njerëzore.

Një operacion i mëparshëm, i zhvilluar në tetor të vitit të kaluar nga Policia e Tiranës në bashkëpunim me EUROPOL, EUROJUST, Policinë Kroate dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, zbuloi një tjetër rrjet ndërkombëtar prostitucioni me 48 gra dhe vajza nga Amerika Latine dhe Azia Qendrore, të cilat dyshohet se trafikoheshin dhe shfrytëzoheshin në Shqipëri.

Autoritetet theksojnë se operacionet janë pjesë e një strategjie më të gjerë për goditjen e krimit të organizuar dhe të rrjeteve që shfrytëzojnë shtetas të huaj për qëllime prostitucioni apo trafikimi.