Përleshje me thika në Londër, humb jetën 22-vjeçari shqiptar. Arrestohen disa të rinj, mes tyre katër vajza

Një 22-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pas një përleshjeje me thika në Londër. Viktima është identifikuar si Lorik Abazi, banues në zonën e Croydon-it, në periferi të kryeqytetit britanik.

Sipas autoriteteve, i riu ndodhej në shoqërinë e dy miqve të tij kur janë përfshirë në një konflikt me pesë persona të tjerë. Policia u thirr rreth orës 01:15 të mëngjesit në Hesterman Way, pas raportimeve për një sulm me thikë.

Tre meshkuj me plagë të shkaktuara nga mjet prerës u trajtuan fillimisht në vendngjarje. Pavarësisht përpjekjeve të shërbimeve të emergjencës, 22-vjeçari ndërroi jetë më vonë në spital. Dy miqtë e tij, të dy 21 vjeç, u dërguan gjithashtu për trajtim mjekësor; njëri prej tyre raportohet me lëndime të rënda, ndërsa tjetri është vënë në paraburgim nën dyshimin për përfshirje në përleshje.

Në një deklaratë prekëse, familja e të ndjerit u shpreh: “Loriku ishte një i ri i kujdesshëm, i zgjuar, me një sens të mirë humori dhe e gjithë e ardhmja e tij ishte përpara. Ne, prindërit e tij, vëllai, e dashura, gjyshërit dhe familja e miqtë e tij e donim shumë. Një dritë është shuar në jetën tonë dhe jemi të shkatërruar pa fjalë nga humbja e tij. Ju lutemi të na ruani privatësinë në këtë kohë.”

Hetimet po drejtohen nga Metropolitan Police Service, e cila ka konfirmuar se deri tani janë arrestuar shtatë persona. Mes tyre janë dy vajza 25-vjeçare dhe një 28-vjeçar të dyshuar për vrasje, si dhe dy vajza të tjera, 21 dhe 22 vjeç, të dyshuara për përfshirje në përleshje. 21-vjeçarja është liruar me kusht.

Shefi i inspektorëve, Nick Blackburn, deklaroi: “Mendimet e mia janë me familjen dhe të dashurit e Lorikut, të cilët kanë pësuar një humbje të paimagjinueshme. Detektivët po punojnë pa ndërprerje për të hetuar incidentin dhe për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë. I bëj thirrje kujtdo që ka informacion apo pamje filmike që mund të ndihmojnë hetimin, të kontaktojë policinë.”

Autoritetet britanike vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.