Teksa sot, më 17 Shkurt, shqiptarët kudo festojnë përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, një reagim i fortë ka shpërthyer në rrjet pas një postimi të eurodeputetit grek Fredi Beleri, i cili ka publikuar referenca mbi atë që ai e quan “Vorio Epir”.
Postimi ka nxitur debat dhe reagime të shumta në opinionin publik shqiptar. Mes zërave më kritikë ka qenë gazetari Marin Mema, i cili e cilëson këtë veprim si provokim të hapur në një ditë simbolike për shqiptarët.
Në reagimin e tij, Mema shprehet se referencat ndaj “Vorio Epirit” rikthejnë në vëmendje ngjarjet e vitit 1914, për të cilat, sipas tij, ekzistojnë dëshmi të shumta historike mbi dhunë dhe masakra ndaj popullsisë shqiptare në disa zona të jugut të vendit.
“E kuptoni çfarë bëhet? Ky personazh, që fshihet në Parlamentin Europian, publikon sot fotografi të fantazmës së ‘Vorio Epirit’! Kujton momente ekstreme kundër popullit shqiptar. E kuptoni ku ka arritur provokimi?”, shkruan Mema, duke shtuar se nën këto simbole, sipas dokumenteve historike, janë shënuar episode të rënda për qytete dhe krahina si Kolonja, Përmeti, Tepelena, Skrapari, Delvina e të tjera.
Gazetari përmend gjithashtu emra autorësh dhe dëshmitarësh të kohës, si Edith Durham dhe Mithat Frashëri, duke theksuar se ngjarjet e vitit 1914 janë të dokumentuara në literaturën historike.
Në reagimin e tij, Mema kërkon që autoritetet shqiptare të mos heshtin dhe të rishikojnë çështjen e ashtuquajtur “Masakra e Peshkëpisë”, një ngjarje e vitit 1994 për të cilën Beleri është përmendur më herët në media dhe procese gjyqësore. “Si mund të heshtin autoritetet? Kjo është një thirrje e hapur kundër tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Rihapni dosjen, shkoni deri në fund”, shkruan ai.

Deri në këto momente, nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet shqiptare lidhur me postimin e eurodeputetit. Debati vijon të jetë i ndezur në rrjetet sociale, ndërsa dita e 17 Shkurtit mbetet një nga datat më të rëndësishme për shqiptarët kudo në botë.