Gjyqtarët fitojnë pjesërisht në Kushtetuese për pagat, topi kalon te Kuvendi: Nuk është kompetencë e jona të caktojmë rrogën

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka pranuar pjesërisht kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për ndryshimet ligjore që prekën formulën e përllogaritjes së pagave të magjistratëve, duke shfuqizuar disa dispozita të ligjit nr. 33/2023 dhe duke i lënë Kuvendit detyrën për të ndërhyrë me ndryshime të reja brenda 31 korrikut 2026.

Në vendimin e marrë këtë të martë, Kushtetuesja vlerëson se, edhe pse ligjvënësi ka diskrecion për të përcaktuar formulën e referencës së pagave, ai nuk mund të lejojë një ulje të drejtpërdrejtë apo të fshehtë të pagës së gjyqtarëve, në kundërshtim me nenin 138 të Kushtetutës, i cili garanton paprekshmërinë e saj.

Sipas Gjykatës, formula e re e miratuar në vitin 2023, që e lidhte pagën bazë të magjistratëve me 36% të pagës së Presidentit të Republikës, nuk prodhoi një ulje nominale, por në kushtet e rritjes ekonomike dhe inflacionit, solli një “ulje të fshehur të shënjestruar”, duke e ngrirë pagën reale të gjyqtarëve. Për këtë arsye, dispozitat përkatëse u shpallën të papajtueshme me Kushtetutën.

“Paprekshmëria e pagës dhe e përfitimeve të tjera janë ngritur në nivel kushtetues, me qëllim që të drejtat që burojnë nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit të mos ndryshohen me efekt negativ”, thekson Gjykata në njoftimin zyrtar.

Megjithatë, Kushtetuesja sqaron se nuk është në kompetencën e saj të përcaktojë nivelin konkret të pagës. “I takon Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme, sipas arsyetimit të këtij vendimi”, thuhet në vendim, duke “pasuar topin” te ligjvënësi për të reflektuar standardet kushtetuese.

Sipas vendimit, ndryshimet e reja duhet të miratohen brenda datës 31 korrik 2026. Po ashtu, efektet financiare do të llogariten nga 1 prilli 2023, datë nga e cila nisi zbatimi i formulës së re, duke parashikuar edhe një skemë të arsyeshme për pagesat e prapambetura.

Gjyqtarët kishin kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2023, duke pretenduar se paga e tyre do të ishte rreth 78 mijë lekë më e lartë nëse formula e mëparshme do të kishte mbetur në fuqi.

Vendimi i sotëm pritet të ketë ndikim jo vetëm në pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe në debatin mbi pavarësinë financiare të sistemit të drejtësisë dhe balancën mes pushteteve në vend. Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.