Dosja “5D”/ SPAK kërkon 39 vite burg për 7 të pandehur, 20 vite për dy ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në total 39 vite burg për 7 të pandehur në çështjen e njohur si skema “5D”, ndërsa vetëm për dy ish-drejtorët e Bashkia e Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato, janë kërkuar 20 vite heqje lirie.

Në pretencën e paraqitur në GJKKO, SPAK kërkoi 11 vite burg për Redi Mollën, të akuzuar për 7 episode korrupsioni, 5 raste të mosdeklarimit të pasurisë dhe pastrim parash. Sipas akuzës, ai konsiderohet një nga organizatorët kryesorë të skemës përmes kompanisë “5D Konstruksion”.

Për Mariglen Qaton u kërkua dënimi me 9 vite burg, për katër raste korrupsioni pasiv, si dhe për pastrim parash dhe fshehje pasurie. Të dy ish-zyrtarët akuzohen se kanë qenë bashkëposedues faktikë të kompanisë “5D Konstruksion”, së cilës i jepnin tendera nga institucionet që drejtonin. Për ta u kërkua edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet.

Për ish-administratorin e “5D Konstruksion”, Nestor Muhamtllari, SPAK kërkoi 7 vite burg për korrupsion pasiv në dy raste dhe pastrim parash. Ndërkohë, për vetë shoqërinë “5D Konstruksion” u kërkua mbarimi i veprimtarisë dhe konfiskimi i të gjitha pasurive në favor të shtetit.

Gjithashtu, 12 vite burg u kërkuan në total për katër ish-zyrtarë të tjerë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera:

  • Taulant Tusha: 4 vite burg (3 raste),
  • Enton Punavija: 3 vite burg (3 raste),
  • Julian Zanaj: 3 vite burg (2 raste),
  • Albano Janku: 2 vite burg (1 rast).

Për të katërt u kërkua edhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet.

Sa i përket pasurive, SPAK kërkon konfiskimin e aseteve të “5D Konstruksion”, me vlerë rreth 1.5 milionë euro në momentin e sekuestrimit, si dhe:

  • 100% të aseteve të kompanisë “Restur”,
  • 24% të aksioneve të “Mediterranean Investment Group” sh.p.k., që po ndërton një hotel me vlerë të deklaruar 15 milionë euro në Durrës.

Po ashtu, kërkohet konfiskimi i disa pasurive të paluajtshme të regjistruara në emër të familjarëve të të pandehurve, përfshirë truall dhe ndërtesa në Tiranë me vlerë të deklaruar 480 mijë euro, si dhe dy apartamente dhe dy vendparkime me vlerë rreth 220 mijë euro.

Hetimet për kompaninë “5D Konstruksion” nisën në vitin 2023 dhe dosja është ndarë në disa fraksione, duke përfshirë edhe zyrtarë të tjerë dhe vepra të ndryshme penale. Vendimi përfundimtar pritet të merret nga GJKKO pas përfundimit të fazës së mbrojtjes.