Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” u zhvillua sot Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore 2026 e Federata Shqiptare e Futbollit, ku presidenti Armand Duka u rikonfirmua në krye të institucionit për një tjetër mandat. Krahas votimit për kreun e federatës, delegatët vendosën edhe për përbërjen e re të Komitetit Ekzekutiv.
Një nga emrat që bie në sy në përbërjen e re është ai i Blendi Fevziu, moderator i njohur dhe drejtues i emisionit “Opinion”, i cili tashmë do të jetë pjesë e strukturës më të lartë vendimmarrëse të futbollit shqiptar. Fevziu rezultoi ndër kandidatët më të votuar, duke siguruar 40 vota “pro” për t’u bërë anëtar i Komitetit Ekzekutiv.
Me këtë zgjedhje, gazetari nis një kapitull të ri jashtë studios televizive, duke marrë rol në hartimin dhe miratimin e politikave zhvillimore të futbollit në vend. Komiteti Ekzekutiv është organi që përcakton drejtimet strategjike të federatës, menaxhon çështjet kryesore administrative dhe mbikëqyr zbatimin e projekteve sportive.
Fevziu njihet prej vitesh si një mbështetës i Kombëtares shqiptare, duke qenë shpesh i pranishëm në ndeshjet e saj brenda dhe jashtë vendit. Ai ka shprehur publikisht vlerësime për investimet e bëra nga federata në infrastrukturë dhe zhvillimin e futbollit, ndërsa tashmë do të ketë mundësi të kontribuojë drejtpërdrejt në proceset vendimmarrëse të institucionit.