Në burg për gjobëvënie: Elio Laze habit me dëshminë: “Marr para jo vetëm për të fshirë lajme, por edhe për t’i bërë ato. Është aktivitet i ligjshëm”

Gjykata e Tiranës ka lënë në masën e sigurisë “arrest me burg” gazetarin Elio Laze, drejtues i portalit “Priza”, i dyshuar për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie” dhe “mashtrim”. Ai akuzohet se i ka marrë 5 mijë euro një zyrtari të administratës publike për të fshirë një artikull të publikuar më herët.

Sipas dosjes hetimore, kallëzimi është bërë nga Klaus Shaqiri, i cili ka pretenduar se ndaj tij ishte ushtruar presion i vazhdueshëm për pagesa në këmbim të mos publikimit ose heqjes së shkrimeve me përmbajtje denigruese. Prokuroria thotë se takimet mes palëve kanë nisur që në vitin 2024, kur në portal ishte publikuar për herë të parë një shkrim ndaj zyrtarit. Sipas deklarimeve, shuma e kërkuar fillimisht ka qenë 40 mijë euro, më pas 20 mijë euro, ndërsa rasti i fundit lidhet me 5 mijë euro të dorëzuara në bashkëpunim me hetuesit.

Policia arrestoi në flagrancë 37-vjeçarin në zyrën e tij në Tiranë, ku iu sekuestruan 5 mijë euro të regjistruara me numra serie. Sipas organit të akuzës, ekzistonte rreziku i prishjes së provave apo ndikimit te dëshmitarët, çka solli kërkesën për masë sigurie më të ashpër.

Para trupit gjykues, Laze ka mbajtur një qëndrim të hapur, duke deklaruar se pagesat për publikimin apo heqjen e materialeve përbëjnë, sipas tij, “aktivitet të ligjshëm”. “Është aktivitet i ligjshëm. Është shërbim i ligjshëm i regjistruar në QKB. Siç paguhem për të bërë shkrime, paguhem edhe për t’i hequr”, mësohet të ketë deklaruar ai, duke shtuar se pagesat ishin të formalizuara me kontrata dhe të deklaruara përmes bankës.

Megjithatë, sipas Prokurorisë, në rastin konkret nuk bëhej fjalë për material të sponsorizuar apo reklamë të shënuar si e tillë, por për një lajm me akuza serioze, për heqjen e të cilit pretendohet se është kërkuar pagesë.

Në dosje përmendet gjithashtu se gazetari është arrestuar edhe në vitin 2021 për armëmbajtje pa leje dhe drejtim mjeti nën efektin e lëndëve narkotike. Sipas burimeve, gjatë arrestimit të fundit atij iu gjet edhe një sasi e vogël lënde narkotike.

Hetimet vijojnë, ndërsa për veprat penale për të cilat akuzohet, ligji parashikon dënim nga 2 deri në 8 vite burg.