Monumenti NEWBORN, simbol i 17 Shkurtit dhe i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është rrethuar mbrëmjen e sotme me kangjella hekuri, në një aksion simbolik të organizuar nga platforma “Liria ka emër”. Aktivistët e kanë shndërruar ikonën e shtetësisë në një imazh burgu, duke e pagëzuar instalacionin me mbishkrimin “Kosova e burgosur”.
Rreth monumentit janë vendosur barriera metalike që kujtojnë strukturën e sigurisë së Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndërsa në to është vendosur edhe logoja e këtij institucioni. Aksioni vjen si reagim ndaj proceseve gjyqësore që po zhvillohen ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Eliza Hoxha nga organizata “Liria ka emër” deklaroi se ky është një reagim qytetar ndaj asaj që e cilësojnë si padrejtësi historike. Sipas saj, “NEWBORN-i, simboli i lindjes së Republikës sonë, po burgoset simbolikisht për të pasqyruar ndjenjën e padrejtësisë që qytetarët po përjetojnë përballë proceseve në Hagë”. Ajo shtoi se përmes mbishkrimit “Kosova e burgosur” shprehet indinjata ndaj gjykimeve që, sipas tyre, prekin historinë e luftës dhe themelet e shtetformimit.
Në paraburgim në Hagë prej pesë vitesh ndodhet ish-presidenti Hashim Thaçi, si dhe ish-krerë të tjerë politikë e institucionalë si Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Instalacioni simbolik pranë monumentit ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe kalimtarëve në Prishtinë, duke rikthyer në debat publik proceset gjyqësore në Hagë dhe ndikimin e tyre në perceptimin e drejtësisë dhe historisë së shtetit të Kosovës.