Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me nismën e mazhorancës për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, me synimin për të garantuar imunitet për anëtarët e Këshillit të Ministrave.
Sipas Bardhit, ndryshimet e paralajmëruara synojnë t’i krijojnë Kryeministrit një “mburojë” shtesë nga hetimet e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke shmangur pezullimin nga detyra edhe në rast se drejtësia do të vlerësonte se ekziston rrezik për prishje provash.
“E besoj Edi Ramën, kur thotë se ka refuzuar tre herë dorëheqjen e Belinda Ballukut. Sepse qëllimi i tij nuk ka qenë kurrë të mbrojë Belindën, por veten e tij. Refuzimi i dorëheqjes nuk është më çështje luajaliteti. Është çështje precedenti”, shprehet Bardhi.
Ai thekson se ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, në mes të një hetimi penal aktiv ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, nuk është një veprim i rastësishëm, por një lëvizje me synim afatgjatë politik.
“Bëhet për ditën kur drejtësia mund të trokasë më lart se numri dy i qeverisë. Prandaj, e besoj Edi Ramën, sepse ai po përpiqet të vendosë një imunitet të ri politik për veten nga SPAK-u”, deklaron Bardhi.
Në reagimin e tij, ai përmend gjithashtu çështje që sipas tij janë ende nën hetim, duke theksuar se “vijat e kuqe nuk zhduken me procedurë, as me hi syve shqiptarëve, BE-së dhe SHBA-së”.
Në përmbyllje, Bardhi shprehet se këtë herë “e beson” Kryeministrin, pasi sipas tij, çdo hap i ndërmarrë synon të garantojë mbrojtje personale përballë hetimeve të mundshme në të ardhmen.