Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kanë zhvilluar një takim rreth një orë në Prishtinë, në kuadër të vizitës zyrtare që Rama po zhvillon në Kosovë.
Fillimisht, kreu i qeverisë shqiptare u prit në takim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përpara se të zhvillonte bisedën “kokë më kokë” me Kurtin.
Pas përfundimit të takimit, Kurti ndau një reagim publik, duke theksuar se në fokus të diskutimeve ishin marrëveshjet ekzistuese bilaterale dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fusha të reja.
“Diskutuam për marrëveshjet bilaterale që kemi dhe fushat se ku mund t’i shtojmë ato, për mundësitë e reja dhe si t’i shfrytëzojmë sa më mirë, si dhe për sfidat e përbashkëta dhe mënyrat për t’i tejkaluar ato sa më lehtë”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se, me mandatet e ripërtërira të dy qeverive, bashkëpunimi ndërqeveritar dhe ndërshtetëror duhet të përkthehet në përfitime konkrete për qytetarët në të dy republikat.
“Me mandatet tona të ripërtërira, përmes bashkëpunimit ndërqeveritar dhe ndërshtetëror, le t’u shërbejmë edhe më tej e më shumë qytetarëve në të dy republikat dhe kombit tonë mbarë”, theksoi ai.
Gjatë vizitës në Kosovë, Rama mori pjesë edhe në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, si dhe parashikohet të mbajë një leksion të hapur me studentët e Universiteti i Prishtinës dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”.
Vizita përkon me 18-vjetorin e shpalljes së Kosovës Republikë dhe shënon udhëtimin e parë zyrtar të Ramës në Kosovë për këtë vit.