18-vjeçarja plagoset me armë zjarri në hotel në Sauk, arrestohen 2 persona dhe shpallen në kërkim 3 të tjerë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar pak pas mesnatës në zonën e Saukut, ku një 18-vjeçare ka mbetur e plagosur me armë zjarri në ambientet e një hoteli. E reja, e identifikuar me inicialet N.K., është paraqitur rreth orës 00:15 në spital me plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit dhe, sipas mjekëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se, bazuar në veprimet e para hetimore dhe në pamjet e kamerave të sigurisë, dyshohet se 18-vjeçarja është vetëplagosur brenda ambienteve të subjektit ku ndodhej. Më herët ishte raportuar se ajo kishte qenë në hotel së bashku me të dashurin e saj dhe kishte dalë vetë nga dhoma për të kërkuar ndihmë, ndërsa më pas është transportuar drejt spitalit nga shtetasja M.R. (Gj) dhe shtetasi E.Gj., 24 vjeç.

Në vijim të hetimeve, policia ka arrestuar në flagrancë shtetasit V.Gj., 46 vjeç dhe M.R. (Gj), 48 vjeçe, të dyshuar për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim shtetasit S.Gj., 49 vjeç, dhe E.Gj., 24 vjeç, për të njëjtat vepra penale, si dhe E.Gj., 22 vjeç, i cili dyshohet edhe për “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas njoftimit zyrtar, këta persona dyshohet se kanë prishur provat në vendin e ngjarjes dhe nuk kanë kallëzuar krimin. Policia vijon punën për gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit të përdorur, si dhe për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet janë në vijim.