Mirlinda Karçanaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtoreshës së Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ndërsa ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, e caktuar pas hetimeve të nisura nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Karçanaj po hetohet për akuza që lidhen me abuzime në tenderat e agjencisë që drejtonte, ndërsa masa e sigurisë është vendosur nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Në krye të AKSHI-t është emëruar Igli Tafa, i cili më herët drejtonte Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Që prej vendosjes në “arrest shtëpie”, Karçanaj kishte deleguar kompetencat e saj te vartësja Romina Kostani, drejtoreshë e Drejtorisë së Koordinimit të Agjendës Digjitale dhe projekteve e-Gov me fondet e huaja. Dorëheqja e saj formalizon largimin nga detyra, ndërsa hetimet nga SPAK vijojnë.