Trupi i biznesmenit u mbush me lesh, AUTOPSIA e parë zbuloi detaje tronditëse, spitali privat shfajësohet: Rezultatet e reja do zbërthejnë vdekjen e Massimo Ferros

Rasti i ndarjes nga jeta të biznesmenit italian Massimo Ferro ka marrë një tjetër kthesë, pasi mediat italiane raportojnë për elemente shqetësuese të konstatuara në autopsinë e parë, ndërsa spitali privat “Trita Hospital” ka reaguar zyrtarisht duke hedhur poshtë çdo shkelje të protokolleve mjekësore.

Sipas raportimeve nga Italia, hetimet për vdekjen e Ferros janë në vijim dhe familjarët kanë kërkuar një autopsi të dytë. Mediat përtej Adriatikut bëjnë me dije se gjatë ekzaminimit mjeko-ligjor janë konstatuar mungesa e stomakut dhe një pjese të zemrës, si dhe përdorimi i materialeve tradicionale për rikompozimin e trupit pas procedurave ligjore, çështje që ka nxitur polemika dhe dyshime mbi standardet e ndjekura.

Nga ana tjetër, “Trita Hospital” deklaron se shtetasi italian iu nënshtrua më 18 dhjetor një ndërhyrjeje kirurgjikale bariatrike për zvogëlimin e stomakut dhe se operacioni është kryer në përputhje me të gjitha protokollet dhe standardet mjekësore në fuqi. Sipas spitalit, pacienti kishte marrë më parë edhe miratimin e dietologes së tij në Itali për kryerjen e kësaj procedure.

Në deklaratën zyrtare thuhet se në ditën e katërt pas operacionit, për shkak të çrregullimeve të ritmit kardiak, pacienti u referua për trajtim më të specializuar. “Ekipi mjekësor reagoi menjëherë pas shfaqjes së komplikacioneve të para, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas praktikës klinike,” thuhet në reagim.

Sipas spitalit, Massimo Ferro u transferua në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku u monitorua dhe mori ndihmën e nevojshme, por pësoi arrest kardiak në ditën e pestë pas ndërhyrjes, më 22 dhjetor, duke mos mundur të mbijetojë pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.

Lidhur me pretendimet për heqje organesh, “Trita Hospital” sqaron se trupi i të ndjerit është tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë dhe se organet ndodhen pranë këtij institucioni, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe procedurat përkatëse.

Spitali thekson se ka kryer një verifikim të plotë të protokolleve të ndjekura dhe se kartela mjekësore e pacientit është sekuestruar nga autoritetet, të cilat kanë nisur veprimet procedurale sipas ligjit. Në përfundim të reagimit, “Trita Hospital” i shpreh ngushëllime familjes Ferro dhe bën thirrje që të priten me maturi rezultatet përfundimtare të autopsisë dhe hetimeve zyrtare, të cilat do të përcaktojnë shkakun e saktë të vdekjes.