Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 92 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim një deklaratë të përbashkët lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale në Hagë për dënimin me nga 45 vite burg të Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Në total, kërkesa përkthehet në 180 vite burg për katër ish-krerët e UÇK-së.
Deklarata, e propozuar nga mazhoranca socialiste dhe e hartuar nga dy ish-ministra të Jashtëm, Igli Hasani dhe Tritan Shehu, e cilëson kërkesën e Prokurorisë si “një shtrembërim të rëndë historik” dhe shpreh shqetësimin për mënyrën se si, sipas saj, po paraqitet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procesin gjyqësor në Hagë.
Në tekstin e miratuar, Kuvendi rithekson se UÇK-ja ishte “një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat themelore të njeriut, për liri, dinjitet dhe vetëvendosje”, duke theksuar se barazimi i kësaj lufte me krimet e regjimit të Millosheviçit përbën, sipas deputetëve, një rrezik për shtrembërimin e së vërtetës historike.
“I drejtojmë kërkesë Dhomave të Specializuara në Hagë dhe komunitetit ndërkombëtar që të garantojnë një proces të drejtë dhe të paanshëm, që respekton dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës,” thuhet në deklaratën e lexuar në seancë nga Igli Hasani.
Edhe bashkëshkruesi i deklaratës, deputeti Tritan Shehu, u shpreh se miratimi i saj është “detyrë e Kuvendit”, duke shtuar se, sipas tij, procesi në Hagë po zhvillohet pa prova konkrete për akuzat e ngritura.
Deklarata përfshin gjashtë pika, ku ndër të tjera shprehet mbështetje për ish-drejtuesit e UÇK-së, kërkohet respektimi i standardeve ndërkombëtare të drejtësisë dhe theksohet konteksti historik i luftës në Kosovë, përfshirë ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999. Po ashtu, Kuvendi rekomandon që qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës të bashkëpunojnë ngushtë në arenën ndërkombëtare për të denoncuar krimet e kryera nga regjimi serb gjatë luftës.
Deklarata e miratuar do t’u përcillet Dhomave të Specializuara në Hagë, Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Parlamentit Europian, asambleve parlamentare të NATO-s, OSBE-së dhe Këshillit të Europës, si dhe qeverive partnere.
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së vijon në Hagë, ndërsa kërkesa për dënim nga Prokuroria Speciale pritet të pasohet nga vendimmarrja e trupit gjykues në një fazë të mëvonshme.