Zhvillime të forta janë shënuar në seancën e radhës të procesit gjyqësor “Plumbi i Artë”, ku i penduari i drejtësisë, Henrik Hoxha, ka dhënë dëshmi të detajuara mbi disa prej ngjarjeve të rënda kriminale që po shqyrtohen nga Gjykata e Posaçme.
Sipas dëshmisë së siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për BalkanWeb, Hoxha ka deklaruar se njeh Festim Qolin prej rreth 20 vitesh dhe se është njohur me të në një festë ditëlindjeje. Ai mohoi të ketë pasur biseda me të lidhur me Nuredinin, si dhe mohoi përfshirjen në vrasjen e Elvis Dedjes. “Vrasjen e Elvis Dedjes nuk e kam kryer unë dhe nuk e di kush e ka bërë. Nuk mbaj mend të kem qenë me Festimin ditën e ngjarjes. Nuk kam folur ndonjëherë me Nuredinin për këtë ngjarje,” deklaroi Hoxha.
Ndërkohë, ai pranoi përfshirjen në vrasjen e Dorian Shkozës, duke theksuar se porosia kishte ardhur nga Erion Alibej, të cilin e referoi me nofkën “Krymi”, ndërsa ndërmjetës, sipas tij, kishte qenë Nuredini. “Shkak ishte pretendimi i ‘Krymit’ se Shkoza kishte qenë te vrasja e familjarëve të tij. Nuk kishte informatorë në atë ngjarje,” u shpreh ai, duke shtuar se nuk e njeh Asllan Plakun dhe se nuk e ka takuar asnjëherë personalisht Alibejn.
Për vrasjen e Emiliano Ramazanit, Hoxha tha se Nuredini u kishte komunikuar se informacioni merrej nga Erion Alibej. Ndërsa për Xhuliano Hoxhën, ai mohoi çdo përfshirje të Nuredinit dhe deklaroi se nuk e kishte parë në vendngjarje.
Një nga momentet më të forta të dëshmisë lidhej me Altin Ndocin. Hoxha deklaroi se kishte marrë porosi për eliminimin e tij, por plani nuk u realizua. “Kam marrë porosi për vrasjen e Altin Ndocit. Më pas ai ra në burg. Ne jemi interesuar për ta vrarë me snajper brenda në burg. Nuredini e diskutonte me mua, ishte në ëndrrat e tij, por nuk e kemi realizuar,” tha ai para trupit gjykues.
Sipas Hoxhës, porosia për Ndocin kishte ardhur pasi ai dhe persona të tjerë “ishin bërë kundra Krymit”. Ai shtoi se pandemia e COVID-19 e kishte bërë të vështirë lëvizjen dhe organizimin, ndërsa më pas objektivi përfundoi në burg, çka solli diskutime të tjera për mënyrën e mundshme të atentatit.
Në seancë pati edhe shkëmbim pyetje-përgjigjesh mes Erion Alibej dhe Hoxhës, ku u diskutua mbi biseda të zhvilluara gojarisht dhe përmes aplikacioneve të komunikimit, si dhe mbi emra të tjerë të përmendur në dosje. Hoxha deklaroi se për disa raste kishte folur vetëm mbi bazën e asaj që i ishte thënë nga Nuredini.
Procesi “Plumbi i Artë” vijon me dëgjimin e dëshmive dhe shqyrtimin e provave për një sërë ngjarjesh kriminale që kanë tronditur vendin ndër vite, ndërsa deklaratat e të penduarve pritet të jenë kyçe në zbardhjen e roleve dhe përgjegjësive të secilit prej të pandehurve.