“Tym i bardhë” në Prishtinë: Konstituohet Kuvendi i Kosovës, i hapet rruga votimit të Qeverisë Kurti

Kuvendi i Kosovës është konstituuar zyrtarisht, duke përmbyllur procesin e formimit të legjislaturës së re dhe duke hapur rrugën për votimin e Qeverisë së re, që pritet të drejtohet nga Albin Kurti.

Konstituimi u shpall nga kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas zgjedhjes së saj në krye të institucionit ligjvënës dhe votimit të pesë nënkryetarëve. Me këtë akt, Kuvendi konsiderohet funksional dhe i gatshëm për vijimin e procedurave kushtetuese.

Në votimin për nënkryetarët morën pjesë deputetët e pranishëm në sallë: 104 vota pro, tre kundër dhe gjashtë abstenime. Me shumicë votash u zgjodhën pesë nënkryetarët e Kuvendit: Ardjan Gola, Vlora Çitaku, Kujtim Shala, Sllavko Simiç dhe Emilija Rexhepi.

“Me konstituimin e Kuvendit, Republika e Kosovës hyn në një fazë të re institucionale, duke garantuar funksionimin e rregullt të demokracisë dhe respektimin e vullnetit qytetar,” deklaroi Haxhiu pas shpalljes së rezultatit.

Ky zhvillim vjen pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas të dhënave zyrtare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë politike me 51.10% të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6 ulëse. Nga ulëset e rezervuara për komunitetin serb, Lista Serbe ka siguruar nëntë mandate, ndërsa një ulëse i ka takuar Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Seanca konstituive ishte thirrur nga presidentja Vjosa Osmani për në orën 12:00, por nisi me vonesë për shkak të zhvillimeve të fundit në procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Thirrja e seancës erdhi një ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.

Pas këtij hapi, pritet që në një seancë të radhës të hidhet në votim përbërja e Qeverisë së re. Si fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje pritet të propozojë Albin Kurtin për kryeministër, duke synuar formimin e ekzekutivit të ri në përputhje me rezultatin zgjedhor dhe procedurat kushtetuese.