Këshilli i Europës ka vendosur t’i heqë imunitetin ish-Sekretarit të Përgjithshëm, Thorbjørn Jagland, pas një kërkese zyrtare nga autoritetet norvegjeze, të cilat kanë nisur një hetim për korrupsion lidhur me kontaktet e tij me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.
Vendimi është marrë unanimisht nga Komiteti i Ministrave të KiE-së të mërkurën në mëngjes. Në një njoftim zyrtar, Këshilli i Europës bëri me dije se, “me kërkesë të autoriteteve norvegjeze, organi vendimmarrës statutor vendosi heqjen e imunitetit nga procesi ligjor që i ishte dhënë z. Thorbjørn Jagland në cilësinë e tij si ish-Sekretar i Përgjithshëm”.
Sipas KiE-së, vendimi vjen pas një serie zbulimesh mediatike që nga nëntori i vitit 2025, të cilat e lidhin Jagland me Jeffrey Epstein. Ky i fundit, sipas prokurorëve amerikanë, kishte ngritur një rrjet të gjerë shfrytëzimi seksual me viktima të mitura dhe kishte kontakte të vazhdueshme me figura të fuqishme politike dhe institucionale në mbarë botën.
Në dokumentet dhe korrespondencat e publikuara, Jagland – ish-kryeministër i Norvegjisë dhe më pas Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës – shfaqet në disa email-e me Epstein. Në një prej tyre, Jagland i shkruante se kishte qenë në Tiranë, duke e përshkruar kryeqytetin shqiptar me shprehjen se “ka vajza të jashtëzakonshme”, një frazë që ka nxitur reagime dhe polemika të forta.
Sipas të dhënave, Epstein e kishte kontaktuar Jagland në vitin 2018, duke i kërkuar ndihmë për t’u lidhur me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov. Jagland i ishte përgjigjur se do të takohej me asistentin e Lavrovit dhe do të sugjeronte një lidhje, megjithëse mbetet e paqartë nëse ndonjë takim i tillë është zhvilluar realisht.
Emri i Jagland është përmendur gjithashtu në dokumente të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara në fund të janarit, si pjesë e dosjeve të lidhura me Epstein. Pas këtyre zhvillimeve, agjencia norvegjeze për krimet ekonomike, Økokrim, i kërkoi zyrtarisht Këshillit të Europës heqjen e imunitetit për të mundësuar hetime të mëtejshme në një çështje të rënduar korrupsioni.
Me vendimin e fundit të KiE-së, Thorbjørn Jagland nuk gëzon më mbrojtje nga ndjekja penale, duke i hapur rrugë autoriteteve norvegjeze për të vijuar procedurat hetimore ndaj tij.