Tensione dhe akuza të forta pas protestës së opozitës, Vokshi: “Më morën flakë këpucët dhe pantallonat nga mjetet e policisë”, Nallbati u dhunua në mënyrë kafshërore

Protesta e djeshme e opozitës u shoqërua me tensione të forta dhe përplasje me policinë, duke përfunduar me deputetin e Partisë Demokratike, Bledion Nallbati, të shtruar në spital. Deputetja Albana Vokshi, në një deklaratë për News24, hodhi akuza të rënda ndaj forcave të rendit, duke e cilësuar ndërhyrjen e policisë si të pajustifikuar dhe të dhunshme.

“Nuk kishte asnjë arsye për ta goditur deputetin Nallbati në mënyrë kafshërore. Ai po përpiqej të shpëtonte nga duart e policisë një qytetar që ishte në punë të tij. U godit me mburojë, me shkop gome dhe më pas edhe me spraj me piper,” deklaroi Vokshi, duke shtuar se sipas saj, “e gjithë togë policore e përfshirë duhet të mbajë përgjegjësi ligjore për këtë dhunë”.

Sipas deputetes së PD-së, opozita nuk kishte si qëllim përshkallëzimin e situatës, por përkundrazi përpjekjen për të qetësuar qytetarët. “Ne kemi qenë aty për të përmbajtur zemërimin e njerëzve. Asnjë deputet nuk ka shkaktuar incidente apo konflikte. Madje, në një farë mënyre, kemi qenë edhe në mbrojtje të vetë forcave të rendit,” u shpreh ajo.

Vokshi e lidhi situatën e tensionuar edhe me gjendjen e rëndë sociale në vend, duke iu referuar të dhënave të Eurostat. “Mbi 40 për qind e qytetarëve janë të përjashtuar nga shërbimet sociale. Ka familje që nuk arrijnë të ushqejnë fëmijët me tre vakte në ditë dhe nuk përballojnë dot shpenzimet minimale të jetesës. Kjo është arsyeja pse qytetarët janë të revoltuar,” tha deputetja.

Ajo denoncoi gjithashtu se gjatë protestës janë rrezikuar edhe deputetët, përfshirë vetë atë. “Pantallonat dhe këpucët m’u përfshinë nga flakët prej mjeteve të hedhura nga policia. Ajo që ndodhi ishte e frikshme dhe krejtësisht e papranueshme,” theksoi Vokshi, duke kërkuar që ngjarja të hetohet dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.