Masakër në një shkollë në Kanada, 10 viktima dhe 25 të plagosur; autorja dyshohet se është vetëvrarë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur provincën e British Columbia në Kanada, ku një sulm me armë zjarri në një shkollë të mesme ka shkaktuar dhjetë viktima dhe dhjetëra të plagosur. Sipas autoriteteve, gjashtë persona janë gjetur të pajetë brenda ambienteve të shkollës, ndërsa një tjetër ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

Policia ka bërë me dije se dy persona të tjerë janë gjetur të vdekur në një banesë në zonë dhe dyshohet se edhe kjo ngjarje lidhet drejtpërdrejt me sulmin në shkollë. Autorja e dyshuar e të shtënave është gjetur e vdekur brenda shkollës dhe hetuesit besojnë se ajo i ka dhënë fund jetës së saj.

Nga të plagosurit, dy persona janë transportuar me helikopter drejt spitalit me lëndime serioze që rrezikojnë jetën, ndërsa 25 të tjerë po marrin ndihmë mjekësore dhe po vlerësohen në qendrën shëndetësore lokale.

Autoritetet kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur të gjitha rrethanat e incidentit. Shefi i Distriktit Verior të policisë, Ken Floyd, deklaroi se bëhej fjalë për një situatë që u zhvillua me shpejtësi dhe ishte tejet dinamike, duke theksuar se bashkëpunimi i menjëhershëm i shkollës, shërbimeve të emergjencës dhe komunitetit ishte vendimtar për reagimin ndaj ngjarjes.

“Mendimet tona janë me familjet dhe të gjithë ata që janë prekur nga ky incident tragjik. Ka qenë një ditë jashtëzakonisht e vështirë për komunitetin tonë,” u shpreh Floyd, duke shtuar se policia do të vazhdojë hetimet deri në sqarimin e plotë të ngjarjes.

Policia ka bërë të ditur se, në këtë fazë, nuk besohet të ketë të dyshuar të tjerë dhe nuk ka rrezik të vazhdueshëm për publikun. Megjithatë, po kryhen kontrolle në banesa dhe prona të tjera në komunitet për të identifikuar persona të tjerë të plagosur ose të lidhur me incidentin, ndërsa në zonë janë dërguar edhe forca shtesë policore, përfshirë Njësinë e Krimeve të Rënda.