Elbasani në shtetrrethim, goditet grupi kriminal i drogës: 45 kg kanabis të sekuestruara, plagoset një efektiv policie

Një operacion i gjerë antidrogë është zhvilluar në orët e vona të natës në Elbasan, ku forcat e policisë kanë goditur një grup të strukturuar kriminal që dyshohet se vepronte në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Aksioni është ndërmarrë nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër dhe është finalizuar mbrëmjen e sotme.

Sipas burimeve zyrtare, tre persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa në automjetin me të cilin ata lëviznin janë sekuestruar rreth 45 kilogramë kanabis sativa, një armë luftarake me municion, një shumë e konsiderueshme parash si dhe disa telefona celularë me karta SIM shqiptare dhe të huaja.

Operacioni është shoqëruar me ndjekjen e mjetit të dyshuar që transportonte lëndën narkotike. Në hyrje të qytetit të Elbasanit, drejtuesi i automjetit ka kuptuar se po ndiqej nga policia dhe ka tentuar të largohej me shpejtësi, duke u futur në rrugë të pandriçuara për t’i shpëtuar kontrollit. Forcat e rendit kanë rrethuar menjëherë zonën, duke bërë të mundur bllokimin e mjetit dhe arrestimin e tre personave që ndodheshin brenda tij.

Gjatë ndërhyrjes, një efektiv policie ka mbetur i plagosur aksidentalisht si pasojë e thyerjes së një xhami. Sipas policisë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.

Identiteti i të arrestuarve nuk është bërë ende publik, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e aktivitetit kriminal të dyshuar.