Pretenca rekord e Hagës për krerët e UÇK-së, ish-hetuesja e Tribunalit: Kur mungojnë provat, kërkohen dënime ekstreme. Është haptazi tejkalim

Pretenca e shpallur më 9 shkurt nga Prokuroria Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së ka ngjallur reagime të forta dhe debate të gjera në opinionin publik dhe juridik. Prokuroria ka kërkuar në total 180 vite burg për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, duke kërkuar nga 45 vite burg për secilin, nën akuzat për krime kundër njerëzimit.

Kjo kërkesë është cilësuar si e paprecedentë dhe disproporcionale, veçanërisht kur krahasohet me dënimet e dhëna ndër vite ndaj autorëve të krimeve masive kundër popullsisë civile shqiptare në Kosovë. Sipas kritikëve, pretenca përbën një ndëshkim ekstrem ndaj figurave që udhëhoqën luftën çlirimtare të Kosovës.

Tejkalimin e hapur të rolit të Prokurorisë e ka konstatuar edhe Nevenka Tromp, ish-hetuese e Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavinë. Ajo vlerëson se kërkesa për dënime kaq të rënda nuk qëndron në raport me barrën e provave dhe përbën një ndjekje të tepruar penale. Sipas Tromp, dënimi prej 45 vitesh për secilin nga të akuzuarit është në thelb një dënim i përjetshëm, duke pasur parasysh moshën e tyre, që varion nga 60 deri në 70 vjeç.

Duke sjellë një krahasim historik, Tromp përmendi rastin e Tihomir Bllashkiqit, oficer i ushtrisë kroate në Bosnje, për të cilin Prokuroria kishte kërkuar po ashtu 45 vite burg për krime lufte. Në atë rast, Dhoma e Apelit e Tribunalit për Ish-Jugosllavinë e rrëzoi ndjekjen e tepruar dhe e uli dënimin në 9 vite burg, duke e liruar praktikisht menjëherë pas vendimit. Sipas saj, ky rast përbën shembullin më të qartë se si prokuroria, kur nuk ka prova të mjaftueshme, tenton të kompensojë me kërkesa ekstreme për dënime.

Ish-hetuesja thekson se pretenca aktuale nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të pranohet nga Dhoma Gjykuese, pasi ende pritet argumentimi i mbrojtjes. Megjithatë, ajo paralajmëron se nëse një dënim i tillë do të konfirmohej edhe në apel, kjo do të ngrinte pikëpyetje serioze mbi natyrën dhe standardet e vetë Gjykatës Speciale.

Sipas Tromp, nëse kërkesa për 45 vite burg do të miratohej, nuk do të bëhej më fjalë për zbatim të ligjit, por për demonstrim force, duke e nxjerrë këtë gjykatë jashtë praktikave të njohura të drejtësisë ndërkombëtare. Ajo rikujtoi se në Tribunalin për Ish-Jugosllavinë dhe në atë për Ruandën, dënime të përjetshme janë dhënë vetëm për krime të provuara të gjenocidit, si në rastet e Ratko Mlladiqit dhe Radovan Karaxhiqit.

Në përfundim, Tromp vlerëson se ashpërsia e dënimeve të kërkuara nga Prokuroria Speciale është larg standardeve të ndjekura nga gjykatat ndërkombëtare dhe se vitet në vijim do të jenë vendimtare për të kuptuar se çfarë lloj drejtësie do të prodhojë Gjykata Speciale për Kosovën.