Një konflikt verbal i ndodhur një ditë më parë në zonën e njohur si “Kthesa e Kamzës”, pranë kompleksit të pallateve “Malajzian”, ka degraduar në një incident të rëndë, ku një punonjës i Policisë së Shtetit ka nxjerrë armën e shërbimit ndaj disa qytetarëve. Ngjarja ka shkaktuar reagim të menjëhershëm nga autoritetet policore, të cilat kanë marrë masa disiplinore ndaj efektivit të përfshirë.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, punonjësi i Policisë, Nënkomisar F. H., me detyrë “Ekspert” në Seksionin e Policisë Shkencore pranë DVP Kukës, është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur hetimi disiplinor. Po ashtu, në kuadër të hetimit, i është bllokuar edhe arma e shërbimit, pistoletë tip “TT”.
Nga pamjet e publikuara në rrjete sociale, duket se oficeri kishte parkuar automjetin e tij në hyrje të një biznesi, duke bllokuar aksesin për klientët. Në momentin që një nga punonjësit i ka kërkuar të largojë mjetin, situata ka agravuar në debat verbal. Pas disa çastesh, polici ka nxjerrë armën dhe e ka mbajtur në dorë, me grykën e drejtuar poshtë, ndërsa disa persona të pranishëm përpiqeshin ta qetësonin dhe ta largonin nga vendngjarja. Pavarësisht përpjekjeve për ndërhyrje, tensioni ka vijuar edhe në distancë me personin tjetër të përfshirë në konflikt.
Policia e Shtetit bën me dije se për këtë rast ka kryer veprime hetimore edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila ka referuar materialet procedurale pranë Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme. Nënkomisari F. H. dyshohet për veprën penale të “Kanosjes”, ndërsa hetimet pritet të zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Autoritetet theksojnë se çdo shkelje e ligjit nga punonjësit e Policisë së Shtetit do të trajtohet me tolerancë zero dhe në përputhje me ligjin.