Alarm për e-Albania: Dhoma Amerikane e Tregtisë paralajmëron rreziqe serioze për biznesin, sigurinë dhe të dhënat sensitive

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri ka ngritur alarmin për funksionimin dhe sigurinë e sistemeve digjitale qeveritare, duke vënë theksin te platforma e-Albania, e cila menaxhon një sasi të madhe të dhënash sensitive të qytetarëve dhe bizneseve. Në një deklaratë zyrtare, AmCham vlerëson investimet dhe përpjekjet e Qeverisë shqiptare në digjitalizimin e shërbimeve publike, duke e cilësuar e-Albania-n si një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të administratës dhe lehtësimit të shërbimeve.

Megjithatë, sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, administrimi i këtyre sistemeve pa auditime të rregullta, masa sigurie të përditësuara dhe përputhje me standardet ndërkombëtare përbën rreziqe serioze për stabilitetin ekonomik, vazhdimësinë e bizneseve dhe sigurinë kombëtare. Shqetësimi kryesor lidhet me problematikat e raportuara nga anëtarët e saj pas zhvillimeve të fundit që përfshijnë Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

AmCham thekson se një pjesë e shërbimeve të e-Albania-s po funksionojnë në mënyrë të paqëndrueshme, me ndërprerje të shpeshta, vonesa, akses të kufizuar gjatë orareve me ngarkesë të lartë dhe performancë të paparashikueshme. Këto probleme, sipas deklaratës, po ndikojnë drejtpërdrejt në aktivitetin normal të bizneseve, duke penguar përmbushjen e detyrimeve rregullatore, ofrimin e shërbimeve ndaj klientëve dhe zhvillimin e operacioneve të përditshme.

Ky shqetësim bëhet edhe më i ndjeshëm për faktin se një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të AmCham operojnë në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, janë të certifikuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe disa prej tyre ofrojnë shërbime edhe për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë kontekst, çdo cenim i sigurisë apo paqëndrueshmëri e sistemeve shtetërore digjitale konsiderohet një risk serioz.

Në deklaratë ngrihen gjithashtu shqetësime për proceset e prokurimit publik në sektorin TIK, të cilat, sipas AmCham, mund të dëmtojnë konkurrencën e ndershme, të rrisin rreziqet në menaxhimin e fondeve publike dhe të ekspozojnë të dhënat sensitive të institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve.

Duke e krahasuar situatën me praktikat e ndjekura në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera me ekonomi të avancuar, Dhoma Amerikane thekson se kompanitë që përfshihen në sistemet qeveritare sensitive i nënshtrohen auditimeve të rrepta të sigurisë, kontrolleve financiare dhe autorizimeve të posaçme, me qëllim garantimin e transparencës dhe mbrojtjes së fondeve të taksapaguesve.

Në përfundim, AmCham i bën thirrje Qeverisë shqiptare të ndërmarrë masa korrigjuese të menjëhershme për të garantuar funksionimin e qëndrueshëm, të pandërprerë dhe të besueshëm të shërbimeve të e-Albania-s, veçanërisht atyre kritike për biznesin. Dhoma Amerikane shpreh gjithashtu gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me institucionet shtetërore, duke ofruar ekspertizë teknike dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, me synimin për rritjen e sigurisë, mbrojtjen e të dhënave sensitive dhe forcimin e stabilitetit ekonomik dhe institucional të vendit.