Aktorja e njohur Anila Bisha i është drejtuar Gjykatës Administrative me një padi ndaj Këshillit të Ministrave, kompanisë Aleat dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke kërkuar pezullimin nga detyra të ministres së Prokurimeve Publike, Diella. Sipas padisë, imazhi i ministres virtuale është një rikrijim në formë avatar i pamjes së aktores, pa pasur bazë kontraktuale për këtë funksion.
Siç është raportuar edhe më herët, kontrata mes kompanisë Aleat dhe Anila Bishës kishte afat deri më 31 dhjetor 2025 dhe parashikonte vetëm përdorimin e imazhit dhe zërit të saj për asistenten virtuale “Diella” në platformën e-Albania. Sipas aktores, kjo marrëveshje nuk përfshinte në asnjë rast përdorimin e figurës së saj për krijimin apo promovimin e “ministres Diella”, e prezantuar publikisht nga kryeministri Edi Rama.
Në kërkesëpadinë e saj, aktorja 57-vjeçare kërkon marrjen e masës së sigurimit, duke synuar ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të imazhit të saj deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Bisha argumenton se përdorimi i pamjes dhe identitetit të saj jashtë kushteve të kontratës përbën shkelje të të drejtave personale dhe profesionale.
Vetë aktorja ka folur më herët për këtë çështje edhe në emisionin “Opinion”, ku ka sqaruar se ishte kontaktuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me AKSHI-n për një projekt artistik dhe teknologjik që lidhej me e-Albania-n. Ajo ka deklaruar se e ka pranuar ftesën me entuziazëm profesional, pa qenë në dijeni se imazhi i saj do të përdorej më pas për një figurë politike virtuale.
Bisha ka theksuar se përfshirja e saj ka qenë vetëm në nivel imazhi dhe zëri, duke treguar edhe ngarkesën e madhe fizike të procesit të regjistrimeve, që kanë zgjatur me orë të tëra për tekstet që përdoren nga platforma e-Albania. Ajo ka pranuar se kompensimi financiar ka qenë i kufizuar dhe i lidhur vetëm me rolin e asistentes virtuale, jo me figurën e ministres.
Lidhur me reagimet publike pas prezantimit të Diellës si ministre, aktorja ka deklaruar se fillimisht është habitur nga deklaratat e kryeministrit, por e ka marrë situatën me sportivitet, duke treguar se ka marrë edhe urime për “emërimin” e saj simbolik.
Ministrja virtuale Diella u prezantua nga kryeministri Edi Rama më 11 shtator, gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste, si pjesë e kabinetit të ri qeveritar. Deklaratat pasuese të Ramës, se Diella do të zhvillonte edhe “fëmijë” virtualë për të zëvendësuar deputetët socialistë, e kthyen figurën në një nga temat më të diskutuara në opinionin publik.
Tashmë, me padinë e depozituar në gjykatë, çështja pritet të marrë një dimension të ri ligjor, ku do të duhet të sqarohet kufiri mes inovacionit teknologjik, përdorimit të imazhit dhe të drejtave individuale.