Bashkia e Rrogozhinës do t’i drejtohet zgjedhjeve të parakohshme, pasi këtë të hënë Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me burg për kryebashkiakun socialist Edison Memolla. Ai është shpallur fajtor për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.
Trupa gjykuese ka konfirmuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, duke e dënuar Memollën me 1 vit burg. Meqenëse vendimi ka marrë formë të prerë, Policia e Shtetit është urdhëruar të ekzekutojë arrestimin e tij.
Kryebashkiaku nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit, duke u përfaqësuar nga avokati mbrojtës. Pas këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shpallë vakancën për drejtimin e Bashkisë Rrogozhinë, ndërsa më pas Presidenti i Republikës do të dekretojë datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Procedimi penal ndaj Memollës u regjistrua më shumë se një vit më parë, pas publikimit në media të një regjistrimi audio. Sipas SPAK, në regjistrim, Edison Memolla i cili në atë kohë kandidat për kryetar bashkie, ushtronte ndikim ndaj elektriçistit Blerim Xhamani për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim që ky i fundit të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022.
Hetimet kanë provuar gjithashtu se Memolla komunikonte për punësime në Bashkinë e Rrogozhinës, duke i përdorur ato si mjet ndikimi në këmbim të votës. Vendimi i Gjykatës së Posaçme i jep fund mandatit të tij dhe hap zyrtarisht rrugën për një proces të ri zgjedhor në këtë bashki.