Parandalohet ngjarja kriminale në Vlorë/ Sekuestrohen automjetet me sheshe benzine brenda. Ja për çfarë do të përdoreshin

Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar në kohë nga Policia e Vlorës, pas informacioneve se dy automjete do të përdoreshin për kryerjen e një akti të dhunshëm. Gjatë ditës së djeshme, forcat e policisë kanë zhvilluar kontrolle intensive në akset rrugore dhe në territorin e fshatit Babicë e Madhe, duke çuar në zbulimin e provave të dyshuara kyçe.

Si rezultat i kontrolleve, policia ka konstatuar të fshehura në një sipërfaqe ullishteje dy automjete të dyshuara të vjedhura, një “Nissan” dhe një “Audi Q5”, të dyja me targa të huaja. Në të njëjtin vend janë gjetur edhe tre bidona me lëndë djegëse, benzinë, që sipas hetimeve paraprake dyshohet se do të përdoreshin gjatë kryerjes së ngjarjes kriminale.

Burime policore bëjnë me dije se nga veprimet e para hetimore ka dyshime të forta se automjetet ishin përgatitur për t’u përdorur në një ngjarje të rëndë, ndërsa ndërhyrja në kohë e uniformave blu ka shmangur pasoja të rënda.

Automjetet dhe materialet e sekuestruara janë dërguar për ekzaminime shkencore, ndërsa një grup i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin e autorësisë së kësaj ngjarjeje të parandaluar në minutat e fundit.