GJKKO pranon kërkesën e SPAK: Erion Veliaj, Ajola Xoxa, Klotilda Bushka, Elman Abule dhe biznesmenë të tjerë dërgohen në gjyq për korrupsion dhe pastrim parash

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka miratuar kërkesën e SPAK dhe ka vendosur dërgimin në gjyq të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, deputetes Klotilda Bushka, si dhe një numri të konsiderueshëm personash dhe subjektesh të tjera, mes tyre biznesmenë dhe organizata jofitimprurëse.

Sipas vendimit të GJKKO, Erion Veliaj akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje pasurie dhe shpërdorim detyre, në lidhje me përfitime të dyshuara të parregullta nga kompani private dhe OJF. Ndërkohë, të pandehurit e tjerë përballen me akuza për korrupsion aktiv, pastrim parash, fshehje të ardhurash dhe vepra të tjera penale, të kryera në bashkëpunim.

Në listën e personave të dërguar në gjyq përfshihen edhe Ajola Xoxa, Klotilda Bushka dhe Elman Abule, si dhe disa subjekte tregtare dhe biznesmenë të njohur, mes tyre shoqëritë “Fusha”, “Kontakt”, “Palushi”, “Agi Kons”, “Gerard-A”, “Rametal”, si edhe disa organizata jofitimprurëse që dyshohet se janë përdorur në skemën e hetuar nga SPAK.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme është përfundimtar dhe nuk parashikon të drejtë ankimi. Burime nga procesi bëjnë me dije se një pjesë e të pandehurve kanë kërkuar që çështja të shqyrtohet me procedurë të gjykimit të shkurtuar.

Me këtë vendim, një nga dosjet më të bujshme të hetuara nga SPAK kalon në fazën e gjykimit, ndërsa pritet që procesi të hedhë dritë mbi akuzat për përfshirjen e zyrtarëve të lartë dhe subjekteve private në afera të dyshuara korruptive.