Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra pas pretencës së Prokurorisë Speciale në Hagë, e cila ka kërkuar dënimin me 45 vite burg për secilin nga katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përmes një reagimi në rrjetin social X (Twitter), Rama shpreh indinjatën e tij të thellë, duke deklaruar se ende nuk arrin të kuptojë logjikën mbi të cilën është ndërtuar kjo kërkesë.
Kreu i qeverisë shqiptare thekson se është pyetur nga miq në Prishtinë pse nuk ka reaguar menjëherë për çështjen, por shpjegon se mungesa e reagimit lidhet me tronditjen dhe përpjekjen për të kuptuar arsyetimin e Prokurorisë. Rama shprehet se fjalët nuk i vijnë dhe se i duhet kohë për të përballuar atë që ai e cilëson si një akt të papranueshëm në zemër të Europës demokratike.

Reagimi i kryeministrit vjen në një moment kur pretenca e Prokurorisë Speciale ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë dhe Shqipëri, duke rihapur debatin mbi procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe perceptimin e drejtësisë ndërkombëtare lidhur me luftën e Kosovës.