Telefonata e djalit që nuk i shpëtoi dot/ Detaje tronditëse nga tragjedia e familjes Kola në Itali, gabimi në adresë dhe minuta vendimtare që u humbën

Detaje të reja dhe tejet prekëse kanë dalë në dritë nga tragjedia e familjes shqiptare Kola në Itali, një ngjarje që ka tronditur jo vetëm komunitetin e vogël të Porcarit, por edhe opinionin publik në Shqipëri. Mbrëmjen e së mërkurës, katër anëtarë të familjes humbën jetën nga helmimi me monoksid karboni në banesën e tyre të re në lagjen Rughi.

Viktimat janë Arti Kola, 44 vjeç, bojaxhi, bashkëshortja e tij Jonida, 48 vjeçe, djali Hajdar, 22 vjeç, elektricist dhe vajza e mitur Xhesika, 15 vjeçe. Sipas mediave vendase, momentet e fundit të familjes kanë qenë dramatike. Djali i familjes, Hajdari, kishte telefonuar numrin e emergjencës 112 në orën 19:58 dhe ishte lidhur me shërbimin 118, duke raportuar se motra e tij nuk ndihej mirë. Telefonata zgjati rreth 11 minuta, por gjatë saj i riu humbi ndjenjat për shkak të helmimit.

Në përpjekje për të kërkuar ndihmë, Hajdari kishte dhënë një adresë të pasaktë, 168 në vend të 186, një gabim që rezultoi fatal, pasi vonoi ndërhyrjen e ambulancës për disa minuta vendimtare. Ekipi mjekësor mbërriti në zonë rreth orës 20:03, por nuk arriti të gjente banesën dhe u detyrua të kërkonte ndihmën e fqinjëve dhe më pas të karabinierëve për të lokalizuar adresën e saktë. Vetëm rreth orës 21:46 urgjenca arriti më në fund te dera e shtëpisë.

Kur Turim Kola, xhaxhai i viktimave, së bashku me dy karabinierë tentuan të hynin brenda, mungesa e oksigjenit bëri që edhe ata të ndiheshin keq dhe të nxirreshin menjëherë jashtë për ndihmë mjekësore. Zjarrfikësit siguruan më pas ambientin, por për familjen Kola ishte tepër vonë. Mjekët konstatuan vdekjen e të katër anëtarëve. Në dëshminë e tij, xhaxhai ka treguar se ka humbur ndjenjat dhe nuk ka mundur t’i ndihmojë, pavarësisht përpjekjeve të dëshpëruara.

Sot, prokuroria italiane ka dhënë detaje mbi hetimet që do të vijojnë. Kaldaja e re e banesës është sekuestruar për verifikime dhe do të hetohet nëse ajo ishte instaluar dhe kontrolluar sipas rregullave ligjore, si dhe kush ka kryer montimin. Banesa ishte blerë nga Arti Kola rreth tre vite më parë, por familja kishte jetuar aty vetëm prej 6–7 muajsh.

Ngjarja ka lënë në zi të thellë komunitetin e Porcarit, ku familja Kola njihej si e qetë dhe e respektuar. Si shenjë respekti dhe dhimbjeje, është anuluar parada e Karnavaleve, ndërsa në kishën San Giusto po mbahet një vigjilje lutjeje për viktimat. Një gjest prekës ka ardhur edhe nga shokët e shkollës së mesme të Xhesikës, të cilët kanë mbledhur poezitë e saj dhe kanë vendosur lule dhe një tullumbace të kuqe në formë zemre para shtëpisë së familjes, duke e kthyer vendin e tragjedisë në një simbol dhimbjeje dhe kujtimi.