Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë prej orësh jugun e vendit kanë shkaktuar situatë problematike në territorin e Bashkisë Himarë, duke detyruar autoritetet vendore të dalin me thirrje urgjente për qytetarët. Si pasojë e intensitetit të lartë të reshjeve, disa përrenj kanë dalë nga shtrati, ndërsa rrugë dhe mjedise të tjera janë përmbytur, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin dhe jetën e përditshme.
Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, u ka bërë apel banorëve të qytetit dhe fshatrave përreth që të shmangin çdo lëvizje që nuk është e domosdoshme, si me automjete ashtu edhe në këmbë, dhe të qëndrojnë në ambiente të sigurta deri në përmirësimin e kushteve të motit. Sipas tij, strukturat e bashkisë janë në gatishmëri të plotë, me punëtorë dhe mjete në terren, për të zbutur pasojat e motit dhe për të parandaluar dëmet në pronën publike dhe private.
“Prej mëngjesit të sotëm, rajoni ynë është përfshirë nga një valë reshjesh me intensitet shumë të lartë, duke shkaktuar vërshime të përrenjve, të cilët kanë dalë nga shtrati dhe kanë përmbytur rrugë e mjedise të tjera. Ju bëjmë thirrje të shmangni çdo lëvizje të panevojshme dhe të qëndroni në mjedise të sigurta”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga kryebashkiaku.
Ndërkohë, për situatën e krijuar ka reaguar edhe organizata Omonia, e cila ka kritikuar ashpër drejtimin e bashkisë. Sipas degës së Omonias në Himarë, është e papranueshme që një qytet rrëzë malit të përmbytet pas reshjeve të shiut, duke akuzuar institucionin vendor për mungesë investimesh reale dhe për dështim në pastrimin e kanaleve kulluese. Në reagimin e saj, Omonia thekson se një shi i shkurtër ka nxjerrë në pah problematikat e akumuluara dhe e ka cilësuar propagandë menaxhimin e deritanishëm të bashkisë, pavarësisht buxhetit të konsideruar “rekord”.
Situata vijon të monitorohet, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal deri në stabilizimin e kushteve atmosferike.