Përkeqësohet moti, reshje intensive shiu nga e premtja në Durrës/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak apel për masa parandaluese

Nga dita e nesërme pritet një përkeqësim i ndjeshëm i kushteve atmosferike, me reshje shiu me intensitet të lartë në disa zona të vendit, veçanërisht në Qarkun e Durrësit.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se për periudhën 6–10 shkurt 2026 parashikohen reshje të dendura shiu, të cilat mund të sjellin vështirësi dhe problematika në territor. Sipas njoftimit zyrtar, intensiteti i reshjeve mund të ndikojë negativisht në banesa, biznese, infrastrukturë dhe në jetën e përditshme të qytetarëve, duke rikthyer rrezikun e përmbytjeve dhe dëmtimeve materiale, ashtu siç ka ndodhur edhe në situata të mëparshme.

Në këtë kuadër, autoritetet kërkojnë që të gjitha strukturat përgjegjëse të tregojnë gatishmëri maksimale, përgjegjësi institucionale dhe bashkëpunim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës. Apelohet për marrjen e masave parandaluese, monitorim të pandërprerë të gjendjes në terren, raportim të menjëhershëm të çdo problematike dhe koordinim ndërinstitucional për përballimin e çdo emergjence të mundshme.

Qytetarët këshillohen të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe me kushte të paqëndrueshme moti.