Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar lidhur me rritjen e trysnisë ndaj gjyqtarëve dhe sistemit gjyqësor, duke shprehur shqetësimin për deklarata dhe qëndrime që, sipas tij, po ndikojnë negativisht në ushtrimin e pavarur të drejtësisë, veçanërisht në këtë periudhë të tensionuar për shkak të përfshirjes në procese gjyqësore të disa figurave të rëndësishme politike.
Në një deklaratë publike, KLGJ thekson se mirëkupton opinionet dhe qëndrimet kritike të shprehura nga funksionarë publikë, subjekte private dhe veçanërisht nga media e shkruar dhe ajo audiovizive, të cilat kontribuojnë në transparencën dhe rritjen e efektivitetit të sistemit gjyqësor. Megjithatë, Këshilli nënvizon se kohët e fundit është konstatuar me shqetësim një tendencë në rritje e trysnisë ndaj gjyqtarëve, e shoqëruar me deklarata që ndikojnë drejtpërdrejt në informimin e opinionit publik dhe që, përveçse cenojnë të drejtat njerëzore të gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës, rrezikojnë seriozisht edhe kryerjen e funksioneve të tyre ligjore.
KLGJ rithekson se qëndrime të tilla dëmtojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Në përmbushje të detyrës së tij kushtetuese, Këshilli shprehet se qëndron në mbrojtje të integritetit të gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor, duke u bërë thirrje të gjithë aktorëve që të shmangin deklarata apo veprime që synojnë ndikimin mbi drejtësinë.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se, në çdo shoqëri demokratike, gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit dhe për këtë arsye ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur, i çliruar nga çdo formë ndikimi dhe i bazuar vetëm në Kushtetutë dhe ligje.
Këshilli i Lartë Gjyqësor vlerëson rolin e pazëvendësueshëm të medias në informimin e publikut për veprimtarinë e sistemit gjyqësor, por njëkohësisht kërkon respektimin e dinjitetit të gjykatës dhe të gjyqtarëve, duke shmangur gjuhën apo imazhet fyese që cenojnë figurën e tyre.
Në përfundim, KLGJ u bën thirrje të gjithë subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga shtyllat themelore të shtetit të së drejtës, duke theksuar se kundërshtimi i një vendimi gjyqësor duhet të bëhet vetëm përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, ndërsa çdo ankesë për sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet t’u drejtohet institucioneve kompetente.
Deklarata e plotë
Këshilli i Lartë Gjyqësor mirëkupton qëndrimet dhe opinionet kritike të shprehura nga funksionarë publikë apo subjekte private, e në veçanti nga media e shkruar dhe ajo audiovizive, të cilat kontribuojnë në rritjen e transparencës dhe efektivitetit të sistemit gjyqësor.
Por kohët e fundit, me shqetësim konstatohet një “trysni” ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit, e cila ka një tendencë rritëse, si dhe shfaqja e disa qëndrimeve apo deklaratave me ndikim të dukshëm në informimin e opinionit publik, të cilat, përveçse shkelin të drejtat njerëzore të gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës, rrezikojnë seriozisht edhe kryerjen e funksioneve të tyre ligjore.
Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se qëndrime të tilla cenojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve, si dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Këshilli i Lartë, në respekt të detyrës së tij kushtetuese, është në mbrojtje të integritetit të gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor dhe u bën thirrje që të shmangen deklarata të tilla, të cilat tentojnë të ndikojnë mbi sistemin gjyqësor.
Sikundër ndodh në çdo shoqëri demokratike, gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit. Për rrjedhojë, ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur dhe i çliruar nga çdo formë ndikimi, duke iu nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
Këshilli i Lartë Gjyqësor sjell në vëmendjen e opinionit publik se respekton misionin e pazëvendësueshëm të medias për informimin e publikut në lidhje me veprimtarinë e sistemit gjyqësor, por nga ana tjetër pret që edhe media të respektojë dinjitetin e gjykatës dhe të gjyqtarit, duke mos përcjellë informacion që përmban gjuhë apo imazhe fyese, të cilat cenojnë figurën e gjyqtarit.
Këshilli u bën thirrje të gjithë subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës. E vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë. Po ashtu, çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse.