Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 6 muaj burg Shkëlqim Hoxhën, ish-kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet vendore të vitit 2023 për Bashkinë e Rrogozhinës, për veprën penale të blerjes së votave. Vendimi ndaj tij është pezulluar dhe është konvertuar në shërbim prove, me kryerje pune në komunitet.
Së bashku me Hoxhën, fajtorë janë shpallur edhe shtetasit Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi dhe Engjell Cara, të cilët Gjykata i ka dënuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të kryer në bashkëpunim dhe në më shumë se një rast, në bazë të neneve 328, 25 dhe 50/h të Kodit Penal.
Sipas akuzës së ngritur nga SPAK, këta persona kanë ofruar dhe siguruar bileta udhëtimi të parapaguara për qytetarë të ndryshëm në të paktën 64 raste, me qëllim që ata të merrnin pjesë në procesin zgjedhor dhe të votonin në favor të kandidatit Shkëlqim Hoxha në zgjedhjet e vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.
Prokuroria e Posaçme thekson se vetë Shkëlqim Hoxha ka qenë në dijeni të kësaj skeme, duke pasur njohuri për përfshirjen direkte të Fatmir Thaçit dhe Limon Shalës në ofrimin e biletave për votuesit. Megjithatë, sipas SPAK, ai nuk e ka kallëzuar këtë veprimtari pranë autoriteteve kompetente, duke shkelur detyrimin ligjor.
Hetimet për këtë çështje kanë nisur pas referimeve të ardhura nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, të cilat kishin sinjalizuar shkelje të mundshme gjatë procesit zgjedhor të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.
Në atë periudhë, Hoxha, i cili garonte përballë kandidatit të Partisë Socialiste Edison Memolla, ishte përfshirë edhe në polemika politike. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e kishte akuzuar publikisht se ishte ofruar të tërhiqej nga gara në këmbim të një “kompensimi financiar” për shpenzimet e fushatës.
Nga ana e tij, në një prononcim për Newsbomb.al, Shkëlqim Hoxha i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si trillime dhe pjesë e një fushate të pistë politike, për të cilën ai ka akuzuar drejtpërdrejt drejtuesin politik të Qarkut Tiranë, Erion Veliajn.