Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së mërkurës komunën e Porcarit, në provincën e Luccës në Itali, ku katër anëtarë të një familjeje shqiptare humbën jetën si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit brenda banesës së tyre.
Viktimat janë Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida Kola, 43 vjeçe, si dhe dy fëmijët e tyre, Hajdari 22 vjeç dhe Xhesika 15 vjeçe. Një person i pestë, vëllai i kryefamiljarit, u shpëtua në momentet e fundit, por ndodhet në gjendje kritike në spitalin “Cisanello” në Pizë, pasi humbi ndjenjat sapo hyri në banesë.
Sipas mediave italiane, ishte pikërisht vëllai i Artit ai që ngriti alarmin, pasi familjarët nuk po u përgjigjeshin telefonatave. Ai mbërriti në shtëpinë trekatëshe së bashku me dy karabinierë dhe, pasi nuk morën përgjigje, u detyruan të hyjnë me forcë. Ajo që gjetën brenda ishte një skenë tronditëse: katër trupat e pajetë të shtrirë në dysheme.
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës së darkës. Ekipet e shpëtimit kanë gjetur tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë. Edhe dy karabinierët që hynë për të dhënë ndihmën e parë shfaqën simptoma të lehta helmimi, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Një fqinj i familjes, Ernest Çela, një nga personat e parë që hyri në banesë, ka rrëfyer momentet dramatike të ndërhyrjes. Ai tregon se kur i gjetën, viktimat kishin ende shenja jete, por nuk arritën të mbijetonin. Sipas tij, përqendrimi i monoksidit të karbonit ishte shumë i lartë, pasi sapo hynë në banesë u ndjenë keq ai, babai i tij, dy karabinierët dhe vëllai i Artit Kola, i cili më pas humbi ndjenjat.
“Mbrëmë rreth orës 21:30 erdhi patrulla e policisë bashkë me xhaxhanë e djalit që ka ndërruar jetë. Hyrëm menjëherë në banesë dhe në katin e dytë pamë katër trupat pa ndjenja në dysheme. Kontrollova pulsin dhe në ato momente ende kishte. Pak më vonë xhaxhai humbi ndjenjat, ndërsa edhe ne të tjerët filluam të ndiheshim keq. Aty kuptuam se në ajër kishte një gaz të rrezikshëm. Fillimisht erdhi ambulanca dhe më pas zjarrfikësja”, ka treguar ai.
Autoritetet italiane po hetojnë për të përcaktuar burimin e monoksidit të karbonit, i cili dyshohet të jetë shkaktuar nga një defekt në sistemin e ngrohjes ose një pajisje shtëpiake.
Monoksidi i karbonit është një gaz i padukshëm dhe pa erë, jashtëzakonisht i rrezikshëm, i cili pasi thithet lidhet me hemoglobinën në gjak duke penguar furnizimin e organizmit me oksigjen. Në përqendrime të larta, ai mund të shkaktojë humbje të shpejtë të vetëdijes dhe vdekje, pa dhënë shenja paralajmëruese.