Reshjet e dendura të dëborës kanë krijuar probleme serioze në qarkullimin rrugor në veri të vendit, duke bllokuar aksin Qafë Thore–Theth për shkak të ortekëve të dëborës që kanë zënë trupin e rrugës.
Si pasojë e situatës së krijuar, lëvizja e automjeteve në këtë segment rrugor është ndërprerë, ndërsa në zonë janë angazhuar mjete dhe ekipe për pastrimin e dëborës dhe largimin e masave të akullit, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të qarkullimit normal.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se puna në terren vijon intensivisht, por deri në zhbllokimin e plotë të rrugës, u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të shmangin aksin Qafë Thore–Theth, për të evituar bllokime të mëtejshme apo rrezikim të sigurisë.
ARRSH këshillon gjithashtu ndjekjen e informacioneve zyrtare dhe respektimin e udhëzimeve të autoriteteve, pasi kushtet atmosferike mbeten të paqëndrueshme dhe situata mund të ndryshojë nga momenti në moment.