Detaje të reja janë mësuar për tragjedinë që tronditi zonën e Luccës në Itali, ku katër anëtarë të një familjeje shqiptare humbën jetën si pasojë e rrjedhjes së gazit nga kaldaja në banesën e tyre.
Viktimat janë Arti Kola, 48 vjeç, kryefamiljari, bashkëshortja e tij Jonida Kola, 42 vjeçe, si dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar Kola, 22 vjeç dhe Xhesika Kola, 15 vjeçe. Familja ishte e njohur në komunitet si e qetë, punëtore dhe e respektuar.
Arti Kola punonte prej vitesh në një fabrikë në zonë, ndërsa bashkëshortja e tij Jonida ishte shtëpiake. Djali i madh i familjes, Hajdari, kishte nisur jetën profesionale si elektricist në një kompani lokale, ndërsa vajza e mitur, Xhesika, ishte studente dhe konsiderohej një nxënëse e përkushtuar.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë edhe te autoritetet vendore. Kryetari i Bashkisë së Porcarit, Leonardo Fornaciari, ka shprehur publikisht ngushëllimet për humbjen e rëndë, duke theksuar se dyshohet që shkak i vdekjes të ketë qenë monoksidi i karbonit i çliruar nga një kaldajë me defekt.
“Një familje e tërë, familja Kola, ka humbur jetën në shtëpinë e tyre. Jemi thellësisht të tronditur dhe të pikëlluar nga kjo tragjedi që ka prekur gjithë komunitetin tonë”, ka deklaruar Fornaciari.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të rrjedhjes së gazit dhe për të verifikuar nëse kaldaja kishte probleme teknike apo mungesë kontrollesh, ndërsa komuniteti shqiptar dhe ai vendas janë bashkuar në dhimbje për humbjen e katër jetëve në rrethana kaq tragjike.