Aksident i rëndë në Bathore, 65-vjeçarja përplaset nga automjeti dhe humb jetën në spital, drejtuesi shoqërohet në polici

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e sotme në Bathore, ku një këmbësore ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:30, kur automjeti me drejtues shtetasin E. B., rreth 40 vjeç, ka goditur këmbësoren Sh. Sh., rreth 65 vjeçe.

Si pasojë e përplasjes, e moshuara ka pësuar dëmtime të rënda dhe është transportuar me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë gjatë trajtimit mjekësor.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat nga shërbimet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Ndërkohë, grupi hetimor po vijon punën për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e plota të këtij aksidenti fatal.