Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar këtë të martë një kërkesë zyrtare pranë Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda nga shqyrtimi i çështjes ku ai është i përfshirë.
Burime bëjnë me dije se kërkesa e paraqitur nga Veliaj do të shqyrtohet nga gjyqtari Bib Ndreca. Ky veprim vjen pasi kryebashkiaku kishte ngritur më herët, në mënyrë verbale, pretendimin për përjashtimin e gjyqtares gjatë seancës së fundit gjyqësore.
Në atë seancë, gjyqtarja Etleva Deda kishte vendosur mbylljen e shqyrtimit paraprak dhe ishte tërhequr për marrjen e vendimit. Sipas pretendimeve të Veliajt, atij nuk i ishte dhënë mundësia të njihej plotësisht me të gjitha aktet e dosjes, pasi një pjesë e tyre nuk i ishin vënë në dispozicion, çka sipas tij cenon të drejtën për një proces të rregullt ligjor.
GjKKO pritet të vendosë nëse kërkesa për përjashtimin e gjyqtares do të pranohet, ndërsa çështja ka tërhequr vëmendje të lartë publike për shkak të pozicionit të Veliajt dhe zhvillimeve të fundit në proces.