Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e pesë prej autorëve të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Behar Sofia, ngjarje e ndodhur më 25 shkurt 2021 pranë Piramidës në Tiranë, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm të dhënë më 16 shtator 2024.
Me këtë vendim përfundimtar, Gjykata e Lartë ka konfirmuar dënimet me nga 30 vite burg për Xhuljano Vishën, Leonard Xhixhën, Skënder Vathin dhe Bujar Lezën. Ndërkohë, Ernjet Shyti, i cili ishte bashkëpunëtor i drejtësisë dhe njëherësh ekzekutor i krimit, është dënuar me 7 vite heqje lirie. Në total, pesë të pandehurit janë dënuar me 127 vite burg.
Mbi ta rëndojnë akuzat për “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Ndërkohë, organizuesi dhe porositësi i vrasjes së Behar Sofisë, Jemin Shera, është dënuar më herët me 35 vite burg në mungesë.
Kujtojmë se Behar Sofia, i njohur ndryshe edhe si “padron droge”, u ekzekutua në mëngjesin e 25 shkurtit 2021 në një nga zonat më të frekuentuara të kryeqytetit. Autori e ndoqi viktimën me biçikletë për disa metra pranë banesës së tij, i preu rrugën dhe e qëlloi për vdekje. I veshur me rroba sportive, kapele, syze dhe maskë mjekësore, pas kryerjes së vrasjes ai u largua fillimisht në këmbë përmes urës së Lanës, për t’u zhdukur më pas me biçikletë drejt zonës së Kodrave të Liqenit Artificial.
Vendimi i Gjykatës së Lartë i jep fund një prej çështjeve më të bujshme penale të viteve të fundit, duke vulosur dënimet për autorët e një krimi që tronditi opinionin publik.